VV mbështet protestat në Shqipëri
Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur dy protesta që do të zhvillohen sot në Shqipëri, njëra në Ballsh e tjetra në Zall-Gjoçaj e që të dyja fillojnë në ora 10:00.
Lajme
Përmes një njoftimi për media, VV thotë se protestat organizohen sepse në thelb ka ndodhur vjedhja e pasurive natyrore të Shqipërisë.
“Në Ballsh, nafta. Në Zall- Gjoçaj, uji. Protesta e Ballshit është për punë dhe rroga të papaguara. Protesta në Zall-Gjoçaj është kundër ndërtimit të një HEC-i në Parkun Kombëtar ‘Lurë – Mali i Dejës’. Në Ballsh e në Zall-Gjoçaj, vidhen e shtypen punëtorë e fshatarë. Të dy protestat janë për jetë me dinjitet. Të dyja burojnë nga i njëjti problem: privatizimet e egra të pasurisë natyrore dhe publike të Shqipërisë, që kanë bërë të kamur një pakicë në kurriz të shumicës së shqiptarëve. Dy protestat e kësaj të diele tregojnë se shqiptarët janë të vjedhur, por jo të gjunjëzuar”, thuhet në komunikatë.
Në Ballsh protesta vjen pas një greve urie që nisi fillimisht para 10 ditëve në Poçem, nga 17 punëtorë të stacionit të elektropompimit, dhe më tej, para 6 ditëve, në grevë u futën edhe 10 punëtorë të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh.
Aty punojnë rreth 900 punëtorë dhe se rrogat nuk i kanë marrë prej disa muajsh. Disa prej grevistëve janë shtruar tashmë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Prej disa javësh banorët po protestojnë në këto zona, ndërsa VV thotë se do t’i mbështesë ato./Lajmi.net/