VV kërkon të shtyhet zgjedhja e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Lëvizja Vetëvendosje ka dyshime të bazuara se njëri prej katër kandidatëve që synojnë të zënë dy vendet në Bordin për Ankesa të Mediave nuk i ka kualifikimet e duhura ligjore për këtë pozitë.

Lajme

29/10/2020 14:43

Për këtë arsye, partia e Albin Kurtit ka kërkuar që kjo pikë të largohet nga rendi i ditës në seancën e sotme të Kuvendit. Por kundërshtimi i partive tjera parlamentare dhe mungesa e deputetëve në sallën plenare ka bërë që të njëjtit të shkojnë në pauzë deri në orën 15:00.

Pavarësisht kësaj, deputeti i LVV-së, Agon Batusha kërkoi që edhe një herë komisioni ad-hoc për përzgjedhjet e dy anëtarëve të këtij bordi të rishqyrtojë listën e kandidatëve.

“Ne kërkojmë që pika 5 e rendit të ditës që ka të bëjë me zgjedhjen e dy anëtarëve për Bordin e Ankesave të Mediave të shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Arsyetimi është që t’i bartet komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për bordin e ankesave të mediave. Ne kemi dyshime të arsyeshme që njëri prej kandidatëve që iu ka propozuar seancën për votim nuk i plotëson kriteret ligjore për përvojën e punës”, tha ai.

Me t’u kthyer deputetët në sallën plenare pika e parë e rendit të ditës pritet të jetë ky mocion procedural i Lëvizjes Vetëvendosje./kp