“VV-ja kampione për ofendime e linçime, opozita do ketë rritje në zgjedhje”-Njohësit komentojnë fushatën dhe pritshmëritë e 9 shkurtit
11 janari i këtij viti shënoi zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale për të gjitha partitë politike në vend, në kuadër të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit. Që nga ajo ditë, subjektet politike që po synojnë marrjen e pushtetit po prezantojnë programet e tyre me qëllim që të fitojnë besimin e qytetarëve, mandatin e ardhshëm qeverisës-…
Lajme
11 janari i këtij viti shënoi zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale për të gjitha partitë politike në vend, në kuadër të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Që nga ajo ditë, subjektet politike që po synojnë marrjen e pushtetit po prezantojnë programet e tyre me qëllim që të fitojnë besimin e qytetarëve, mandatin e ardhshëm qeverisës- e të mirat e përgjegjësitë që vinë pastaj me to.
Megjithatë, këto tubime elektorale po përcillen edhe me gjuhë e akuza të rënda të subjekteve politike, përçka edhe PZAP deri më tani ka shqiptuar gjoba me mijëra euro ndaj tyre.
Në lidhje me këtë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se teksa jemi në javën e tretë të fushatës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje është kampione për përdorimin e gjuhës ofenduese e linçuese.
Sipas tij, VV-ja dhe kreu i saj, Albin Kurti, nuk po i paraqet mjaftueshëm qytetarëve ofertën e tyre se si do të udhëheqnin me vendin në rast se do ta fitonin besimin e tyre.
“IKD monitorimin e fushatës zgjedhore kryesisht e bazon në raportin mes kandidatëve për deputet/ subjekteve politike dhe votuesve sa i përket elaborimit të programeve, gjuhës së përdorur në fushatë, respektimit të parimeve të demokracisë dhe integritetin e kandidatëve. Fatkeqësisht, kur jemi në javën e tretë të fushatës, partia në pushtet është kampione me përdorimin e gjuhës ofenduese, linçuese dhe fyese i udhëhequr kryesisht nga lideri i VV-së, rrallë ose shumë pak kohë qytetarit i ofron program ose ide se si do të udhëheq me pushtetin nëse partia e tij arrin të bëj shumicën në legjislaturën e re”, tha ai për lajmi.net.
Miftaraj shtoi gjithashtu se kontaminimi dhe polarizimi i tillë nuk i kontribuon demokracisë të ndërtuar me vite në Kosovë.
“Kontaminimi dhe polarizimi që po ushqehet nga partia në pushtet nuk i kontribuon kulturës demokratike të ndërtuar ndër vite në Kosovë”, tha Miftaraj.
Në anën tjetër, ish-diplomati kosovar, Avni Arifi, tha se kjo fushatë zgjedhore është ndryshe prej asaj të vitit 2021.
Sipas tij, në zgjedhjet e fundit parlamentare të para katër viteve, qytetarët kosovarë patën dëshiruar ndryshime në qeverisje, duke dërguar kështu në opozitë partitë që kishin udhëhequr me vendin për 20 vite.
Megjithatë, Arifi thotë se se “ndryshimi” u shndërrua në “zëvendësim”, por si një kopje e keqe e atyre që kishin qeverisur më parë, e që si pasojë tashmë ka zhgënjim të qytetarëve.
“Kjo fushatë duket se është ndryshe nga të tjerat e posaçërisht ndryshe nga viti 2021. Më 2021 populli i Kosovës donte ndryshim rrënjësor, dërgim të partive që kishin qeverisur për 20 vite në opozitë. Pas katër vitesh shihet zhgënjimi qytetar. Ndryshimi u shndërrua në zëvendësim, por si kopje e keqe e atyre që kishin qeverisur më parë. Janë të rralla situatat në Evropë e në botë ku një parti e fiton aq bindshëm shumicën parlamentare e për 4 vite nuk arrinë. 4 vite kanë qenë vite të ngecjes dhe regresit për Kosovën”, tha Arifi për lajmi.net.
I pyetur për atë se si janë pritshmëritë për zgjedhjet e 9 shkurtit, Arifi tha se tri partitë opozitare, PDK, LDK e koalicioni AAK-Nisma të do të kenë rritje të ndjeshme.
Për këtë, ai pret që pas zgjedhjeve në Kosovë të fillojë një epokë e re e qeverisjes.
“Fushata po tregon se sa i përket masës janë katër parti që kanë tubime relativisht të nivelizuara. Të tri partitë opozitare do të kenë rritje substanciale. Pas 9 shkurtit e pritshme që në Kosovë do të fillojë një epokë e re e qeverisjes”, tha Arifi.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pritet të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për katër vitet e ardhshme, duke qenë një moment i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
E në Kosovë kanë mbetur edhe pak javë deri në përfundimin e fushatë zgjedhore nga partitë politike në vend.
Thuajse “ i madh e i vogël” janë aktivizuar që partitë të kenë sa më shumë njerëz në tubime, e që prania e tyre më pas të shndërrohet në votë më 9 shkurt.
Një gjë që është vërejtur këtë herë është se partitë duket se nuk kanë më bastione.
Partitë politike thuajse po kanë ngjashëm numër të përkrahësve në këto tubime elektorale, gjë që e bën edhe më mister rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme.
Pas një qeverie që udhëhoqi me vendin 4 vjet radhazi, padyshim se qytetarët veçse kanë mësuar se a do të duhet të votojnë njësoj, apo do t’u duhet ndryshim rrënjësor.
Mbetet të shihet se çfarë në fakt do të sjell 9 shkurti i vitit 2025, e kush më pas do të drejtojë institucionet e vendit.
Mundësi e madhe është që në vend të ketë përsëri koalicione, siç kishte dikur por se kush me kë do të arrijë të marrë vota aq sa për të lidhur koalicion, mbetet të shihet pas zgjedhjeve.
Fushata elektorale deri më tani ishte e fokusuar më tepër në deklarime ndaj njëri-tjetrit, se në planprograme.
Madje Lëvizja Vetëvendosej përpos deklarimeve të “thata”, duket se do të përfundojë fushatën pa paraqitur fare planprogram./Lajmi.net/