VV insiston në votim të fshehtë: Deputetët opozitarë shkelën Kushtetutën për tridhjetë seanca me radhë
Lëvizja Vetëvendosje nuk do të heq dorë nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë. Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive për herë të 38-të, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për krizën në Kuvend thotë se zgjedhja e trupave të legjislativit është përgjegjësi e të gjitha…

Lajme
Lëvizja Vetëvendosje nuk do të heq dorë nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë.
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive për herë të 38-të, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për krizën në Kuvend thotë se zgjedhja e trupave të legjislativit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare.
Sipas tij, votimi i fshehtë i kryekuvendarit nuk është shkelje kushtetuese, madje ai shtoi se e njëjta u dëshmua edhe në aktgjykim të Kushtetueses.
“Kjo është faqja e vendimit. Këtu te konstatimet kemi dy pika. Në asnjërën prej tyre, Gjykata Kushtetuese ka thënë se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën siç po tentohet të prezantohet gabimisht dhe rrejshëm nga opozita. Po besoj i keni dëgjuar deklaratat jo serioze por në asnjë pikë të këtij vendimi nuk thuhet një gjë e tillë. Përkundrazi, në paragrafin 141 dhe 180, Gjykata Kushtetuese veç sa e ka rikonfirmuar se votimi i fshehtë është një prej mënyrave që mund të përdoret për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit… Gjykata Kushtetuese ka rikonfirmuar se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim. Pra nuk mund të vihet në seancë konstituive dhe mos të votohet. Mosvotimi fare është shkelje kushtetuese. Që nga data 1 maj, për 30 seanca me radhë të gjithë deputetët e opozitës kanë shkelur Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, tha ai.
Ndërkaq, kryetarja e partisë Guxo, deputetja Donika Gërvalla, tha se Gjykata Kushtetuese ka mundur të nxjerrë një vendim më konkret, pasi sipas saj i njëjti ishte shumë i përgjithshëm.
Megjithatë, sipas saj, është përcaktuar nevoja që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim dhe që votimi i fshehtë nuk është antikushtetues.
Madje ajo akuzoi deputetin e PDK-së, ish-ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin, për deklarimet e tij se aktgjykimi i Kushtetueses tregon devijimin kushtetues që LVV-ja ka bërë në mbi dy muaj të vazhdimit të seancës konstituive.
“Tre gjëra shumë të qarta i ka thënë vendimi i Kushtetueses edhe pse është një vendim goxha i përgjithshëm, edhe pse dorën në zemër mund të ishte më konkret dhe mund të jepte rrugëdalje. Të gjithë deputetët obligon Kushtetuta të marrin pjesë në seancë dhe i obligon të marrin pjesë në votim. Nuk mundesh me ardhur në Kuvend me ardhur kot, por kur vjen në Kuvend duhet të votosh. Askush se imponon të votosh për kandidatin tonë, por duhet të votosh. E dyta është se secili deputet në Kuvendin e Kosovës nuk vjen aty për të bllokuar por për t’i dhënë drejtim konstituimit të Kuvendit. Pyetja që Kushtetuesja s’i ka dhënë përgjigje është se çka ndodh pas tridhjetë ditësh. Unë besoj se nuk do të sfidohemi përsëri që pas tridhjetë ditësh të kemi nevojë për zgjidhje kreative, por besoj se pas takimit të nesërm me Kurtin me liderët e opozitës të arrihet një dakordim. I kam lexuar 47 faqet e vendimit dhe pas deklaratës së ish-ministrit të Drejtësisë ku thotë se Kushtetuesja flet për devijim në atë aktvendim i kam lexuar përsëri 47 faqet pasi nuk më besoja se ish-ministri i drejtësisë është i gatshëm me gënjyer publikun”, tha ajo.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e paraparë të mbahet sot (e premte) është ndërprerë për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shpresës për takimin e nesërm të liderëve të partive parlamentare për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se shpreson që të arrihet një konsensus në takimin e nesërm që lideri i LVV-së, Albin Kurti, i ka ftuar përfaqësuesit e partive parlamentare për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Ai tha se seanca e radhës do të mbahet të dielën në orën 11:00.