VV e çel fushatën një ditë para hapjes zyrtare, Cakolli: Po shfrytëzon boshllëkun ligjor të parafushatës, KQZ dhe PZAP s’kanë kompetencë të veprojnë
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka ngritur shqetësimin se Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim hapës për zgjedhje para fillimit zyrtar të fushatës, duke shfrytëzuar një hapësirë të parregulluar ligjore – të njohur si periudha e parafushatës. Sipas Cakollit, ndonëse kjo nuk përbën shkelje ligjore, paraqet një sfidë për integritetin e…

Lajme
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka ngritur shqetësimin se Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim hapës për zgjedhje para fillimit zyrtar të fushatës, duke shfrytëzuar një hapësirë të parregulluar ligjore – të njohur si periudha e parafushatës.
Sipas Cakollit, ndonëse kjo nuk përbën shkelje ligjore, paraqet një sfidë për integritetin e procesit zgjedhor, pasi periudha e parafushatës nuk është e rregulluar me legjislacionin aktual zgjedhor, as për nga gjuha e përdorur, as për nga shpenzimet apo kufizimet e tjera që zakonisht vlejnë gjatë fushatës zyrtare, transmeton lajmi.net.
“Nuk ka qenë praktikë deri më tani që tubimet hapëse të mbahen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Këtë vit, një tubim i tillë po u zhvilloka nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka shkruar Cakolli.
Ai thekson se fushata zyrtare fillon më 13 shtator, dhe deri atëherë, çdo aktivitet politik zhvillohet jashtë çdo përgjegjësie ligjore, duke pamundësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të ndërhyjnë, edhe nëse ka raste të gjuhës së urrejtjes apo të shpenzimeve të pakontrolluara.
“Për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”, përfundon ai.
Ky vërejtim vjen në kohën kur partitë politike kanë filluar të intensifikojnë aktivitetet e tyre në terren, ndonëse fushata zyrtarisht nuk ka nisur ende, duke hapur diskutime mbi nevojën për rregullim të qartë ligjor të kësaj periudhe./lajmi.net/