VV: Arratisjet tregojnë për papërgjegjësinë personale në PDK

Vetëvendosje thotë se pretendimi se PDK po ndryshon dhe se po i ndëshkon shkelësit e ligjit, me të cilët ka qeverisur deri tani, del i pavërtetë.

Lajme

20/05/2014 18:27

Në një njoftim për media të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se arratisja e sotme e disa zyrtarëve të PDK-së tregon se në çfarë niveli ka ardhur sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Sipas Vetëvendosjes, kjo tregon se cilët janë personat që drejtojnë qeverinë qendrore dhe lokale në emër të PDK-së.

“Implikimet e kësaj arratisje janë të shumta. Në radhë të parë justifikimi – se po arratisen për shkak të transferimit në një burg në veri të vendit tonë – tregon edhe një herë se si përmes ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq në fakt u betonua mos kontrollimi i asaj pjese të vendit tonë dhe dorëzimi para pretendimit të Beogradit dhe të strukturave paralele”.

“Në radhë të dytë, pretendimi se PDK po ndryshon dhe se po i ndëshkon shkelësit e ligjit, me të cilët ka qeverisur deri tani, del i pavërtetë.

“Sami Lushtaku ka qenë i kandiduari i PDK-së vetëm gjashtë muaj më parë, dhe tash arratiset prej strukturave të drejtësisë, njëjtë siç ka bërë më parë Xhabir Zharku”.

“Ky fenomen është i përgjithshëm në PDK dhe papërgjegjësia personale në këtë parti është rregull”.

“Një parti e tillë di të veprojë veç në mënyrë brutale dhe para-ligjore, por nuk ka për të ndërtuar kurrë një sistem të drejtësisë e të gjyqësorit të pavarur”.

“Në radhë të tretë, kjo arratisje tregon edhe për ngjarjet brenda në PDK. Pasi miratoi tribunalin për gjykimin e krimeve të UÇK-së dhe pasi e përbalti simbolikisht luftën e shqiptarëve për liri e për pavarësi, Thaçi ka nisur të “shesë” ish-shokët e vet për të shpëtuar veten dhe për të ruajtur pushtetin brenda PDK-së”.

“Por llogaritë e ish-kryeministrit Thaçi nuk po dalin të sakta, pasi të fortët” e PDK-së nuk janë gati të vetësakrifikohen për ta mbajtur atë në pushtet”.

“Ata janë gati të mbështesin kolektivisht ligjet që propozon Thaçi sipas kërkesave të Daçiqit, por individualisht pastaj nuk hezitojnë t’i shkelin këto ligje, meqë e konsiderojnë ligjin të parëndësishëm dhe veten përmbi ligjin e shoqërinë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.