VV-AAK patën kohë, kurrë nuk e paditën Kadri Veselin në gjykatë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se mesazhi i ambasadores Tracey Ann Jacobson ka ndikuar te liderët e partive në Kosovë për krijimin e institucioneve.

Lajme

22/12/2014 19:38

“Mesazhi i ambasadores së SHBA-ve në Kosovë për dhënien fund të ngërçit, ndezi llambat e alarmit te krerët e politikës sonë dhe sigurisht që ndikoi në krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Kosovën e kanë ndihmuar, e ndihmojnë dhe do ta ndihmojnë miqtë tanë të mëdhenj, të cilëve u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës përherë. Por, të mos harrojmë: Kosova mund dhe do të bëhet dinjitoze vetëm nga ne, qytetarët e saj”, ka thënë Haliti për gazetën “Telegraf” të Beogradit.

Haliti ka folur edhe për sa i përket prioriteteve që duhet të ketë qeveria e ardhshme.

“Së pari, është miratimi i buxhetit, faktori themelor për ekonominë, për jetesën e mbarë qytetarëve të Kosovës. Së dyti, është rifillimi, vazhdimi dhe implementimi i arritjeve të derisotme të marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë në Bruksel. Së treti, krijimi i gjithë infrastrukturës ligjore për krijimin dhe vënien në funksion të Gjykatës Speciale. Së katërti, është shndërrimi i FSK-së në FAK, me synim që sa më shpejt të anëtarësohet në NATO”.

Xhavit Haliti është pyetur edhe për akuzat e partive opozitare, Vetëvendosje dhe AAK, në adresë të Kadri Veselit. Ai ka thënë se akuzat e këtyre subjekteve politike janë të vonshme dhe sipas tij kanë tendenca partiake.

“Përgjigja e kësaj pyetje relativisht të gjatë, më duket se gjendet në vetë parashtrimin e saj. Lëvizja Vetëvendosja dhe AAK-ja, që u rikujtuan tani për akuzën e mëhershme ndaj Kadri Veselit, për të kaluarën e tij, kanë pasur mjaftueshëm kohë dhe mundësi që të paktën ta largojnë shqetësimin përmes gjyqësorit. Ringritja e akuzës pas 5-6 vjetësh më duket se nxitet dhe i shërben më shumë politikës partiake”, ka thënë ndër të tjera Haliti, transmeton Indeksonline.