Vulinit i ndalohet hyrja në Kosovë
Aleksandar Vulinit dhe një ministri tjetër serb u është refuzuar kërkesa për të qëndruar sot në Mitrovicën e Veriut. Ata planifikonin të shpërndanin grante për studentët e Universitetit paralel në Mitrovicën e Veriut.
Lajme
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës e kanë refuzuar një kërkesë për vizitë nga Ministri pa Portofol i kësaj Qeverie, Aleksandar Vulin.
Bashkë me të ne Kosovë ka qenë dashur të vijë edhe Ministri për Rini dhe Sport, Vanja Udovcic.
Në një komunikatë të kësaj zyre thuhet se “kësaj radhe, Serbia është penguar që t’u ndihmojë studentëve më të mirë në Kosovë për t’i zgjeruar njohuritë dhe talentet e tyre”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar nga organet kompetente dhe komuniteti ndërkombëtar që ta ndalin “diskriminimin e Prishtinës ndaj studentëve në baza kombëtare”.
Sipas Beogradit, me këtë ndalesë, është shkelur e drejta për arsimim e të gjithë studentëve serbë të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut.
Vulin dhe Udovcic kishin planifikuar ta vizitonin këtë Universitet për të shpërndarë grante për gjashtë studentët më të mirë në vitin e fundit të studimeve.