Vulin paralajmëron ardhjen

Aleksandar Vulin thotë se do të vijë të premten në Kosovë. Por, raportohet se ai nuk ka marrë ende leje për këtë. Sipas Vulin, nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, atëherë Mitrovica e Veriut do të drejtohet nga shqiptarët.

Lajme

30/10/2013 09:37

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se bojkoti i zgjedhjeve do të ishte zgjedhja më e keqe për serbët dhe se ai, bashkë me ZëvendësKryeministrin e Parë të Serbisë, Aleksandar Vucic, do ta vizitojë Kosovën më 1 nëntor për t’i porositur serbët që të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh.

“Nëse serbët nuk dalin në zgjedhje më 3 nëntor, Kryetari i Komunës së Mitrovicës (së Veriut) do të zgjedhet një shqiptar. Pres që vizita ime në Kosovë e Metohi të kalojë pa probleme”, ka thënë ai në një intervistë për të përditshmen beogradase “Novosti”.

“Mitrovica (e Veriut) mund të bëhet komunë në të cilën një shqiptar të zgjedhet Kryetar, konkretisht Adrijana Hoxhiq. Nëse kjo ndodh, atëherë duhet të pyesim se çka do të ndodh me bashkësinë e Komunave Serbe, me jetën në Kosovë e Metohi, me shtetin i cili më nuk do të mund të financojë jetën në këtë zonë”, tha ai.

“Nëse nuk do të kemi sukses ta themelojmë Bashkësinë e Komunave, nuk do të kemi mundësinë ta kemi përgjegjësinë tonë kushtetuese dhe të vazhdojmë ta financojmë jetën në territorin e Kosovës dhe Metohisë”.

Vulin ka thënë se Beogradi do ta vazhdojë financimin dhe formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, edhe pas zgjedhjeve.

“Të gjitha format e financimit të deritanishëm nuk od të ndërpriten. Nëse Qeveria e serbisë nuk ak ndikim te serbët në Kosovë, ajo më nuk do të mund të jetë partner i vlefshëm për bisedime, por këtë do ta bëjë vetëm Prishtina. Vetëm serbët mund ta largojnë Serbinë nga Kosova e Metohia, askush tjetër”, ka thënë Aleksandar Vulin.

I pyetur nëse pret që vizita e tij në Kosovë të kalojë pa probleme, për shkak se Prishtina ka paralajmëruar se nuk do t’i lejojë atij hyrjen, Vulin ka thënë se pret që kjo të shkojë normalisht, se bashkësia ndërkombëtare do t’i garantojë atij liri të lëvizjes, sepse “kjo është në interes të të gjithëve”.

Por Kosovapress raporton se Vucic do të vijë vetëm në Kosovë më 1 nëntor pasi që Vulinit nuk i është lejuar hyrja nga autoritetet kosovare.

“Siç bëhet e ditur nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, vizita e Vuçiqit është lejuar por jo edhe e Vulinit dhe se për këtë ka edhe një mirëkuptim nga Brukseli pasi që Vulin ka veprua në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit”, raporton Kosovapress.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ditë më parë ka deklaruar që Aleksandër Vuçiq mund të vijë lirisht në Kosovës përderisa Vulin duhet ta dijë se çfarë e pret nëse futet në Kosovë.