Vulin flet për aparteid në Kosovë

Aleksandar Vulin shfryhet në Graçanicë, pasi që nuk iu lejua vizita në Kishën Ortodokse në Gjakovë. Thotë se në Kosovë ka vende ku qeveris aparteidi. Sipas tij, kjo nuk nënkupton normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Lajme

06/01/2014 17:35

Ndalesa që u bëhet serbëve të zhvendosur për të vizituar kishën në Gjakovë tregon se në Kosovë po qeveris “aparteidi i fundit në Europë”, ka deklaruar Aleksandar Vulin në Graçanicë, raporton RTS.

Ministri serb pa Portofol i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, gjatë qëndrimit për ceremoninë fetare të ndezjes së dushkut për Krishtlindjet Sllavo-Ortodokse në Graçanicë, ka thënë se është e padrejtë ndalesa që i është bërë atij për ta vizituar Gjakovën.

“Sot është treguar qartë se në këtë vend ende vazhdon të qeverisë një aparteid për serbët. Ne jemi i vetmi popull në Europë i cili nuk ka mundësi që për këtë festë të shkojë dhe të ndezë dushk në Kishë”.

Ai ka pyetur se kujt do t’i pengonte vizita e më pak se 100 serbëve në Gjakovë.

Vulin bën të ditur se fillimisht i është lejuar që të jetë së bashku me serbët e zhvendosur, mirëpo, sipas tij, ky vendim është ndryshuar sot në mëngjes.

“Ky është një aparteid ndaj serbëve. Nuk mund të quhet ndryshe kjo sjellje ndaj serbëve të cilët nuk kanë të drejtë që të marrin pjesë në ceremoninë fetare në Gjakovë”.

Sipas Vulinit, sjellje të tilla nuk nënkuptojnë normalizim të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Serbët sot në Gjakovë janë sulmuar me gurë, ndërsa mua nuk më është lejuar që të jem me ata”.

Ai tha se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Bashkësia e Kombëtare kanë qenë të detyruar që të garantojnë siguri për serbët në qytetin e tyre.

“A është Gjakova qytet i ndaluar për serbët, a ekzistojnë qytete ku qeverisë aparteidi?

Në Gjakovë qeveris aparteidi”.

Vulin u ka bërë thirrje shqiptarëve “që të ndalojnë të sillën si viktima.”

“Ngjarjet në Gjakovë janë një mesazh që tregon se dikush nuk i do serbët në Gjakovë, edhe serbët kanë të drejtë që të jenë atje”.