Vuçiqit i ‘djegë’ deklarata e Ramës: Merruni me problemet tuaja
Pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për gazetën “Kathimerini”, i cili tha se nëse do të ndodhte “Beogradi” në Tiranë ai do të ndihej i turpëruar, ka reaguar kryeministri serb Vuçiq i cili ka ftuar homologun e tij shqiptar, që të merret me problemet e vendit të tij.
Lajme
Në një kohë që për kreun e qeverisë shqiptare, ajo që ndodhi në Beograd ishte përgjegjësi e organizatorëve, Vuçiq këmbëngul se ishte një provokim i autoriteteve shqiptare.
“Incidentet u shkaktuan padyshim nga shqiptarët dhe ishte një incident i organizuar kohë më parë. Flamuri i Shqipërisë së madhe është simbol i së keqes dhe jo i zhvillimit të Ballkanit. Megjithatë Serbia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ruajtur paqen në Ballkan”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka shprehur bindjen se Rama nuk e mbështet idenë e `Shqipërisë së Madhe`, pavarësisht se ai nuk e dënoi veprimin e dronit në Beograd:
“Shqipëria e Madhe nuk është vetëm ankth serb dhe evropian. Në çdo rast, si një krijesë fashiste e Luftës së Dytë Botërore, kujtohet vetëm për të këqija dhe për mbështetje të Ballit Kombëtar të Shqipërisë së Madhe. Unë besoj se kryeministri Rama nuk e mbështet këtë plan, edhe pse nuk ka dënuar demonstrimin e flamurit të Shqipërisë së Madhe në Beograd. Dua të besoj që edhe kryeministri Rama nuk e mbështet këtë program të Shqipërisë së madhe edhe pse më ka suprizuar që nuk e dënoi fare fluturimin e flamurit në stadiumin e Beogradit, qoftë dhe me një fjalë të vetme”, ka deklaruar Vuçiq.
Nga ana e tij, Rama u shpreh për “Kathimerinin” se do të ishte ndjerë i turpëruar nëse incidenti i Beogradit do të kishte ndodhur në Tiranë, dhe se ndjen keqardhje që politika në Beograd u shpreh me një gjuhë urrejtjeje kundër popullit shqiptar duke mos dënuar dhunën dhe racizmin.
Por, kryeministri serb si kundërpërgjigje kërkoi që zyrtarët shqiptarë të merren sa më pak me politikën në Serbi dhe më shumë me problemet e tyre.
“Pres nga zyrtarët shqiptarë të merren sa më pak me politikën në Serbi dhe të merren më shumë me problemet e tyre, në të cilat unë nuk kam dëshirë të hyjë”, ka thënë Vuçiq.
Lidhur me shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama, kryeministri serb ka thënë se ishte koha e papërshtatshme dhe si i zoti i shtëpisë duhej ta kërkonte. `Momenti kur ishte për t’u bërë vizita gjendja ishte shumë e papërshtatshme por megjithatë duke e menduar se e vetmja zgjidhje është dialogu, unë si i zoti i shtëpisë propozova një datë të re takimi për të cilën ra dakord kryeministri Rama`, ka thënë Vuçiq.