Vuçiqi në Moskë, Putin: Erdhi edhe pse u përpoqën ta ndalnin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vlerësuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të bëra për ta bindur të mos merrte pjesë, ai ishte i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të “Ditës së Fitores” ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vuçiqi ishte mes liderëve autoritarë…

Lajme
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vlerësuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të bëra për ta bindur të mos merrte pjesë, ai ishte i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të “Ditës së Fitores” ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vuçiqi ishte mes liderëve autoritarë që ndoqën paradën ushtarake të organizuar për këtë ngjarje historike.
Në një takim të mbajtur mes të dyve, Putin ka shprehur kënaqësinë për vizitën dhe ka thënë se kjo ditë është një festë e përbashkët për popujt ruso-serbë.
Siç raportohet nga agjencia “Tanjug” në Serbi, gjatë takimit, dy presidentët diskutuan për marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve.
Presidenti Vuçiq e ka theksuar rëndësinë e furnizimit me gaz rus për Serbinë dhe ka shprehur shpresën se do të arrihet një kontratë afatgjatë për mbështetje me gaz. Ai ka besim se Serbia do të përballet me kushte të favorshme gjatë negociatave.
Po ashtu, Vuçiqi ka falënderuar Putin për mbështetje të jashtëzakonshme në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
Vizita e Vuçiqit në Moskë ka shkaktuar kritika, përfshirë ato të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ka shprehur shqetësim se “shtetet anëtare të BE-së nuk e pranojnë lehtësisht këtë lëvizje”.