Vuçiqi eskalon kundër Gjermanisë dhe vendeve perëndimore: Duan të ushtrojnë sa më shumë presion mbi Serbinë që ajo ta njohë një Kosovë të pavarur
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka përsëritur qëndrimin e Beogradit se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht presionit që, sipas tij, po vjen nga Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore. Vuçiç ka deklaruar gjithashtu se Serbia nuk planifikon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk synon anëtarësimin në NATO, transmeton lajmi.net. Duke komentuar…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka përsëritur qëndrimin e Beogradit se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht presionit që, sipas tij, po vjen nga Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore.
Vuçiç ka deklaruar gjithashtu se Serbia nuk planifikon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk synon anëtarësimin në NATO, transmeton lajmi.net.
Duke komentuar mbështetjen financiare që Gjermania pritet t’i japë Policisë së Kosovës, presidenti serb ka akuzuar Berlinin dhe vendet perëndimore se po synojnë ta detyrojnë Serbinë ta njohë Kosovën.
“Ata duan të shohin një Kosovë të pavarur me çdo kusht dhe duan të ushtrojnë sa më shumë presion mbi Serbinë që ajo ta njohë një Kosovë të pavarur. Kjo nuk do të ndodhë, pavarësisht se sa i madh është presioni, pavarësisht se si dhe sa serbë i rrahin, i dëbojnë dhe i heshtin për të gjitha këto”, ka deklaruar Vuçiç.
Ai ka vazhduar me kritika ndaj Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar, duke iu referuar edhe çështjes së lumit Ibër. Vuçiç ka thënë se ideja për ndryshimin e rrjedhës së lumit nuk duhet të injorohet.
“E patë persekutimin tim kur përmenda idenë 30-vjeçare të ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Duhet ta shtypni çdo ide në rrënjë. Sidomos një serb në Kosovë dhe Metohi nuk duhet të jetë serb. Ai nuk duhet ta ketë Beogradin si kryeqytet, por Tiranën dhe Prishtinën dhe Brukselin. Por, serbët nga Kosova dhe Metohia duan vetëm Beogradin”.
Në deklaratat e tij, Vuçiç ka mohuar edhe pretendimet e kryeministrit të Malit të Zi se Serbia po furnizon Ukrainën me armë. Ai e ka kritikuar atë për njohjen e Kosovës dhe ka hedhur poshtë akuzat se Serbia dhe Rusia po pengojnë rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian./lajmi.net/