Vuçiq vajton në Facebook: Situata e sigurisë më e ndërlikuar, për shkak të aktiviteteve të Prishtinës, Tiranës e Zagrebit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, por shtoi se Serbia nuk do të devijojë nga kursi i saj shtetëror. “Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa…

Lajme

15/04/2026 10:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, por shtoi se Serbia nuk do të devijojë nga kursi i saj shtetëror.

“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të fuqishëm”, shkroi Vuçiq në Facebook.

Ai shtoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.

Si komandant suprem i Forcave të Armatosura Serbe, tha se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e këtyre forcave.

Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si dhe përdorimin e municioneve “fluturuese”.

Po ashtu, ai paralajmëroi trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për përdorim të artilerisë dhe aviacionit, si dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në pjesë të tjera të ushtrisë.

Vuçiq tha se këto masa synojnë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.