Vuçiq udhëton për Moskë, reagon Presidenca: Vizita e ish ministrit të Millosheviqit konfirmon regjimin autokratik si ai i Putinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkuar në Moskë, për të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq. Gjithashtu, Vuçiqi ka planifikuar një takim dypalësh më 9 maj me presidentin rus, Vladimir Putin, sipas njoftimeve nga Kremlini. Për këtë vizitë, ka reaguar Presidenca e Kosovës, duke thënë se udhëtimi i Vuçiqit në…

Lajme

07/05/2025 19:20

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkuar në Moskë, për të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq.

Gjithashtu, Vuçiqi ka planifikuar një takim dypalësh më 9 maj me presidentin rus, Vladimir Putin, sipas njoftimeve nga Kremlini.

Për këtë vizitë, ka reaguar Presidenca e Kosovës, duke thënë se udhëtimi i Vuçiqit në Moskë konfirmon lidhjen e tij ideologjike me regjim autokratik dhe agresor, si ai i Putinit.

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka deklaruar se ky udhëtim është një shenjë e qartë e orientimit të Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike dhe një tregues i mundshëm i vazhdimit të veprimeve destabilizuese të Vuçiqit ndaj rajonit.

“Vizita e ish ministrit të Millosheviqit, Vuçiq në Moskë, konfirmon jo vetëm afërsinë ideologjike të tij me një regjim autokratik e agresor si ai i Putinit, por edhe orientimin e Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike. Poashtu është tregues se Vuqiçi do të vazhdojë veprimet destabilizuese kundër rajonit tonë, me bekimin e Moskës.

Kjo vizitë le të shërbejë si një kambanë alarmi edhe për të gjithë ata përfaqësues evropian, të cilët mbështesin pakusht Vuçiqin me shpresën se ai do të kthehet kah perëndimi. Vuçiqi në Moskë e në shërbim të plotë të Putinit është edhe rezultat i politikave akomoduese, të cilat i përdorin shumë politikanë perëndimor ndaj tij, duke injoruar veprimet e tij destabilizuese ndaj fqinjve, të cilat i ngjajnë atyre të viteve të 90-ta”, ka thënë Kupina.