Vuçiq u jep këshilla ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përcjell mesazhe patriotike në Graçanicë.

Lajme
Kryeministri i Serbisë në fund të vizitës së tij në Kosovë ka qëndruar në Graçanicë, ku i ka rekomanduar ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës që të punojnë në interes të popullit serb, ose në të kundërtën të largohen nga aty.
“Nëse kanë ardhur që të pasurohen, atëherë të largohen nga ato pozita”, ka thënë Vuçiq, pas takimit me Patriarkun Teodosije.
Gjatë përurimit të shtatores së mbretit serb, Milutin, Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të flet për terma si “Serbia qiellore”, por nuk ka lënë pa përdorur retorika nacionaliste, duke u thirrur në interpretimet historike serbe.
Vuçiq në një fjalimin drejtuar qytetarëve serbë të mbledhur në një shesh të Graçanicës, u ka premtuar atyre përkushtim për zhvillim ekonomik.
Mirëpo, sipas Vuçiq, investimet nuk do të jenë nga Serbia, por nga fondet e privatizimit. Ai ka thënë se këto fonde të privatizimit të ndërmarrjeve publike në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të përdorën për zhvillim të infrastrukturës dhe projekte tjera në këto komuna.
“Serbëve i duhet një politikë e mençur që do të sillte rezultate”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Kryeministri serb gjatë udhëtimit nëpër komuna me shumicë serbe në Kosovë, ka hasur në protesta të banorëve shqiptarë, kundër vizitës së tij.