​Vuçiq: Realiteti i ri në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Gjatë mbledhjes partiake, të mbajtur sot në Kragujevc, Vuçiq e propozoi ministrin e Brendshëm të Serbisë, Millosh Vuçeviq, në postin e kryetarit të kësaj partie. Vuçeviq është po ashtu zyrtar i lartë i kësaj partie. Ai pritet…

Lajme

27/05/2023 15:45

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Gjatë mbledhjes partiake, të mbajtur sot në Kragujevc, Vuçiq e propozoi ministrin e Brendshëm të Serbisë, Millosh Vuçeviq, në postin e kryetarit të kësaj partie.

Vuçeviq është po ashtu zyrtar i lartë i kësaj partie.

Ai pritet që të zgjidhet në krye të SNS-së gjatë të shtunës, teksa mbledhja partiake po vazhdon.

“Milloshi është një zyrtar i përkushtuar ndaj SNS-së dhe ndaj idesë për një Serbi të pavarur dhe prosperuese”, tha Vuçiq gjatë fjalimit.

Gjatë fjalimit në mbledhjen partiake, Vuçiq po ashtu foli për situatën në Kosovë, të cilën e quajti të vështirë.

“Ajo që do të jetë vështirësia më e madhe në periudhën e ardhshme është Kosova, pothuajse të gjithë njerëzit tanë që është dashur të marrin pjesë në këtë takim sot janë në Kosovë dhe është një situatë e vështirë….disa po sillen të paaftë, po behën naiv, por në fakt qëllimet e tyre janë, e kam fjalën për këta nga perëndimi. Synimi i tyre është që të dalim gjoja me një komunikatë kundër tyre, që me këtë gjoja na kënaqin, ndërkohë që në fakt duhet të pajtohemi me atë që quhet realiteti i ri. Me atë që quhet realitet i ri, e cila në asnjë mënyrë nuk i shkon për shati popullit serb dhe që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe të gjitha aktet dhe normat juridike publike ndërkombëtare, ata do të vazhdojnë me këtë. Rezistenca e popullit serb sigurisht që do të jetë gjithnjë e më i fortë dhe më e fuqishme, shpresoj me mjete paqësore dhe demokratike, nëse ata sulmohen ose në ndonjë mënyrë tjetër, jam i sigurt se serbët do të mbrohen”, tha ai.

Vuçiq më herët kishte njoftuar se do të largohej nga drejtimi i partisë. Ai po ashtu njoftoi se duke nisur nga 28 maji do të nisë formimin e një lëvizjeje të re. Por, ai shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë në partinë SNS.

Siç e shpjegoi, lëvizja që ai mëton të krijojë do të jetë më e gjerë se SNS-ja, sepse qëllimi i tij është që personat që nuk janë pjesë e partisë, të marrin pjesë në këtë lëvizje. Ai nuk specifikoi se kush do të ftohet që të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, që të hynin në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Megjithatë, strukturat ilegale, lëshuan alarmin si ftesë për mbledhjen e qytetarëve para objekteve të komunave. Protestuesit serb, tentuan të hynë në objektin e Komunës në Zveçan, ku edhe u dëgjuan të shtënat me armë dhe gjuajtje me gurë në drejtim të policisë. Zyrtarët policorë u detyruan të ndërhyjnë me gaz-lotsjellës dhe shok-bomba. Aty janë lënduar disa policë, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete të policisë. Strukturat ilegale kanë vendosur edhe një barrikadë me kamion e zhavor në Leposaviq, si dhe një në Zveçan. Këtë të fundit e kanë hequr Policia e Kosovës.

Po ashtu, shtetet perëndimore dënuan veprimet e Kosovës dhe thanë se hyrja e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, ishte “hyrje me forcë”.

Sot situata në katër komunat e veriut të vendit është me e qetë.