Vuçiq: Po zhvillojmë hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare. Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të…

Lajme

01/12/2024 11:58

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.

“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiq duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili e akuzoi Serbinë për “dirigjimin” e këtij sulmi “terrorist dhe kriminal”.

Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se, derisa kjo të përfundojë, publiku nuk do të njoftohet ose “të fajësohet dikush tjetër” dhe tha se është i gatshëm të ofrojë bashkëpunim me të gjithë, përfshirë edhe për Prishtinën zyrtare.

Autoritetet kosovare të sigurisë njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Vuçiq i akuzoi autoritetet kosovare se arrestuan “njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë arsye shtatë prej tyre u liruan”.

“Kështu nuk zhvillohen hetime serioze, gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Vuçiq tha se Kurti i kishte kërkuar leje KFOR-it që Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) të vendoseshin në veri të Kosovës “nëntë minuta” pasi ishte njoftuar për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Po pyes NATO-n dhe KFOR-in, a po flas të vërtetën apo jo?” tha Vuçiq.

Shkuarjen e FSK-së apo vendosjen e bazave të saj në komunat veriore të banuara me shumicë serbe e pamundëson një marrëveshje e institucioneve të Kosovës me Aleancën e NATO-s.

Më 2013, nëpërmjet një letërkëmbimi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk shkon në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s në lidhje me këtë dhe nuk ka marrë përgjigje ende.

Autoritetet kosovare të sigurisë njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Vuçiq i akuzoi autoritetet kosovare se arrestuan “njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë
arsye shtatë prej tyre u liruan”.

“Kështu nuk zhvillohen hetime serioze, gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Ministri Sveçla tha se të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Autoritetet kosovare të sigurisë konfiskuan edhe armatim gjatë bastisjes në veri të shtunën, për të cilin thanë se mund të lidhet me sulmet e kësaj jave dhe me raste të tjera që autoritetet janë duke i trajtuar.

Gjendja e në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar tash e një vit, prej kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë më 24 shtator 2023, duke e vrarë një rreshter.

Prej atëherë, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të ndryshme armatimi në disa raste. /REL