Vuçiq tha se vendimi për referendum do të merret pasi të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve.
Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë zhvilluar të dielën rrethin e fundit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Me këto bisedime, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, synohet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizimin e raporteve.
Vuçiq po ashtu i falënderoi qytetarët serbë të Kosovës me rastin e Vidovdanit, për, siç tha, “ruajtjen e vendit të tyre”.
“Pak serbë kanë mbetur në Kosovë dhe dua t’i falënderoj për ruajtjen e vendit tonë. Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet politike për t’iu garantuar sigurinë”, tha Vuçiq.
Vidovdani, apo Dita e Shën Vidit, shënohet më 28 qershor dhe lidhet me përvjetorin e 629-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.