Vuçiq mundohet ta luaj “të urtin” derisa reagon pas deklaratës së Biden: Serbia s’është si në vitin 1999

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq ka reaguar pas deklarimit të presidentit amerikan Joe Biden i cili para liderëve të vendeve anëtare të NATO-s përmendi ndërhyrjen në Ballkan, për ndaljen e spastrimit etnik. Presidenti amerikan, Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë një fjalimi në Uashington, ku foli për unitetin e aleancës kundër agresionit…

Lajme

10/07/2024 14:11

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq ka reaguar pas deklarimit të presidentit amerikan Joe Biden i cili para liderëve të vendeve anëtare të NATO-s përmendi ndërhyrjen në Ballkan, për ndaljen e spastrimit etnik.

Presidenti amerikan, Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë një fjalimi në Uashington, ku foli për unitetin e aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë.

Jo shumë larg pasi nisi fjalën e tij, Biden përmendi intervenimin në Ballkan për ta ndalur spastrimin etnik.

“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për ta rivendosur paqen dhe për ta ndalur spastrimin etnik”, tha Biden para Sekretarit të Përgjithshëm, liderëve të vendeve të NATO-s, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, përfaqësuesve nga vendet partnere e të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të Kongresit në Samitin e NATO-s.

E pas kësaj, Vuçiq deklaroi se Serbia nuk është dhe nuk do të jetë pre si në vitin 1999.

“Edhe në vitin 1999 flisnin për Ballkanin, më duhet të them se ne nuk po prekim askënd, por Serbia nuk do të jetë më pre e askujt, si në vitin 1999. Sot Serbia është një vend serioz dhe i përgjegjshëm, dëshiron paqe, por nuk do të lërë askënd ta kërcënojë lirinë e popullit tonë”,tha ai.

“Më vjen mirë që ata kënaqen duke sulmuar Serbinë, do të thotë se ne jemi forcuar dhe ata përdorin të pavërteta, e që është dëshmi se janë të pafuqishëm”, shtoi Vuciq.

Ai tutje tha se Serbia nuk i shërben asnjë “fuqie të madhe, por vetëm popullit të saj”./Lajmi.net/