Vuajti 8 vite burg, në fund del i pafajshëm karateisti nga Ferizaj

Akuzat për vrasjen e së dashurës gjithmonë e kishin bërë të ndihet i irrituar nga drejtësia në Kosovë. 31 vjeçari Flamur Hasani që dikur ishte karateist kishte insistuar që lënda e tij të rikthehet në gjykatën duke e ditur se nuk qëndron pas vdekjes të së dashurës. Ai nga 25 vite të dënimit me burg, i kishte vuajtur 8, por në fund kishte rezultuar të ishte i pafajshëm. 

Lajme

05/01/2015 15:28

Flamur Hasani nga fshati Sazli ishte dënuar me 25 vite burg. Pas mbajtjes së 7.3 vitesh lirohet si i pafajshëm në mungesë të provave për veprën për të cilën akuzohej. 

Pavarësisht nga ajo se si erdhi deri te kjo situatë, FerizajPress e vizitoi atë për të parë se sa mundë të ndikojë një vendim i tillë në jetën e një njeriu, ani pse shpallet i pafajshëm. 

“Ishte vërtetë kohë e vështirë. Është vështirë të qëndrosh në burg edhe kur e dinë që je fajtorë, kur vërtet ke bërë një krim, por është shumë e vështirë kur nuk ke bërë asgjë në lidhje me atë për çka akuzohesh por vuan dënimin si një kriminel”, thotë Hasani. 

Zakonisht kur sillnin ndonjë të ri gjithmonë më shkonte mendja se a janë vërtet fajtorë këta që po i sjellin, sepse kisha humbur besimin në drejtësi. Mendoja këtë sepse kisha humbur çdo shpresë se e vërteta do të dilte ndonjëherë në shesh”, vazhdon Flamuri. 

Përkundër që thotë se ka qenë në mesin e më të mirëve në federatën e karatesë, ai tregon se ofertat për të vazhduar me punën që bënte nuk i ka më. 

“Bëj ndonjëherë ushtrime sa për të thënë, dal vrapoj por më ka humbur ai vullneti të cilin e kam pasur para se të burgosem”. 

Ai ankohet se as me shëndet nuk qëndron mirë, pasi vitet e kaluara në burg dhe maltretimet psikike që i janë bërë e kanë traumatizuar.

“Nuk jam as i pari e as i mrami që kalova këtë gjendje. Por më habit inferioriteti i atyre me të cilët dhash kontributin tim maksimal, e që por asnjëherë më nuk më ofruan mundësinë që ti kthehem jetës normale”.

Bashkë me të ishte akuzuar edhe motra e viktimës A.P, mirëpo edhe ajo u lirua në mungesë provash, pas afër 8 viteve.