Vrugu dëmton kumbullat

Temperaturat e ulëta dhe koha, jo e përshtatshme që ka mbretëruar në Kosovë, sidomos në pranverë, kanë bërë që të shkaktohen dëme në pemëtari.

Lajme

28/07/2014 14:03

Dëme sipas fermerëve janë shkaktuar gati tek të gjitha kulturat.

Temperaturat e ulëta dhe vrugu (bastra) kanë dëmtuar në masë të madhe edhe kumbullën, kulturë kjo e cila viteve të fundit ka filluar që të kultivohet në sipërfaqe të mëdha.

Sami Pajaziti nga fshati Metehi i Komunës së Podujevës, tash e katër vite merret me kultivimin kumbullave, ku në një sipërfaqe prej rreth 60 ari ai e kultivon këtë kulturë.

Por, sivjet ai nuk pret që të marrë frutat nga parcela e mbjellë më kumbulla, krejt kjo për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar koha e papërshtatshme në të.

“Për dallim me vitet e tjera këtë vit kemi dëme të mëdha, ku të gjitha frutat e kumbullave janë dëmtuar dhe si fermerë kemi dëme të mëdha pasi që sivjet nuk kem çka të hedhim në treg”, tha Pajaziti.

Ai kërkon që të përkrahet qoftë nga Komuna e Podujevës apo Ministria e Bujqësisë, që sa do pak të ia ulin dëmet që ua ka shkaktuar bastra.

Zyrtarët e Komunës së Podujevës kanë treguar se temperaturat e ulëta në pranverë kanë dëmtuar në masë të madhe kulturën e kumbullës.

Xhafer Sekiraqa, zyrtar për bujqësi në këtë komunë thotë se pothuajse e tërë sipërfaqja me kumbullë është dëmtuar, kjo thotë sipas njoftimeve që janë bërë nga fermerët.

“Nga 90 për qind e rasteve të cilat janë paraqitur nga fermerët e komunës tonë, del se kumbullat janë të dëmtuara nga temperaturat e ulëta, në pranverën e vonë si dhe nga vrugu”, tha Sekiraqa.

Muharrem Ujupi nga fshati Sekiraç i Podujevës, tregon se tash ka filluar më kultivimin e kumbullave. Sipas tij dëme nuk ka në parcelën e tij.

“Unë nuk kam dëme pasi që këtë vit nuk kam fruta të kumbullave vetëm se si fidanë janë mirë shumë, tash presim vitin tjetër, ku pres që të marrë frutat e para”, tha ai.

Për të ngritur këtë parcelë ai është përkrahur nga Komuna e Podujevës me fidanë të kumbullës.

Edhe në fshatrat e Komunës së Obiliqit fermerët kanë treguar se kultura e kumbullës është dëmtuar. Ata thonë se kumbullat si pemë nuk janë dëmtuar, por dëme janë shkaktuar tek frutat e kumbullës.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj, tha se nuk kanë fond të veçantë për kompensimin e fermerëve në raste të fatkeqësive natyrore, por se do ta krijojnë fondin qysh në fillim të vitit 2015, sepse do t’i rritet buxheti edhe Ministrisë së Bujqësisë.

Ai tha se në fund të këtij viti planifikojnë të ndajnë mjete edhe për kompenzimin e dëmeve të sivjetme.

“Për t’u kompensuar fermerët duhet t’i ndjekin procedurat e parapara dhe bashkë me raportin e vlerësimit të dëmit të Drejtorisë Bujqësore komunale, duhet të bëjnë kërkesë për kompensim në Ministrinë e Bujqësisë dhe pastaj dosja e tyre procedohet te komisioni përkatës që bënë rivlerësimin, sepse shpeshherë ndodh që këto dëme të paraqiten si shumë të fryra nga vet fermerët”, tha Behramaj. /FermaIme/