Vritet teksa po ndihmonte të tjerët
Një 26-vjeçar nga Njuton i Karolinës së Veriut, u vra teksa po u vinte në ndihmë njerëzve të bllokuar nga stuhia “Jonas”. Mediat amerikane e quajnë “Samaritani i mirë”, por ishte pikërisht mirësia ajo që i mori jetën.
Bota
Ngjarja ndodhi në Katauba të këtij shteti, një nga më të goditurit prej stuhisë historikë të dëborës. Akulli në rrugë bëri që disa makina të rrëshqisnin, ku një pjesë u përplasën dhe të tjera mbetën varg pas tyre.
Sipas medieve vendase, Jefferson Heavner, shofer kamioni, afrohet për të parë si mund të ndihmojë dhe i drejtohet njërës prej makinave të përfshira në aksident. Në timon ishte studenti 27-vjeçar Marvin Jacob Lee, nga Klermonti.
Ndërkohë, dëshmitarët okularë kanë rrëfyer se i riu që në fillim ishte shfaqur mjaft agresiv dhe thanë se ai kishte qenë i pirë. Sapo dëgjoi se Heavner donte të thërriste policinë për ndihmë, Lee doli nga makina e hapi zjarr.
Dëshmitarët kanë shtuar se, “edhe kur 26-vjeçari ra në tokë, studenti vazhdoi të qëllonte. Me mbërritjen e forcave të rendit, Lee u mbyll në automjetin e tij e u desh ndërhyrja e forcave speciale dhe një mjeti të blinduar për ta nxjerrë prej andej”.
27-vjeçari akuzohet për “vrasje me dashje”. Historia e Jefferson u pasqyrua gjerësisht në mediat amerikane. Miqtë dhe të afërmit krijuan një faqe përkujtimore në interneti, përmes të cilës po përpiqen gjithashtu të mbledhin fonde për djalin 17-muajsh të viktimës, Bretlee, të cilin Heavner po e rriste i vetëm.