Vreshtarët ankohen për çmimin për kilogram rrushi: I ulët, nuk mbulojmë as shpenzimet

Çmimi prej 26 centësh për kilogram rrushi nga vreshtarët e Rahovecit po konsiderohet si tejet i ulët dhe që nuk mbulon as koston e shpenzimeve që kanë pasur gjatë punës në vreshta.

Lajme

21/09/2021 13:06

Rahovecianët që merren kryesisht me kultivimin e rrushit të tryezës dhe rrushit të verërave, po kërkojnë nga kompanitë që merren me përpunimin e rrushit që çmimi për kilogram të rritet, si mënyrë e vetme që të vazhdojnë të merren me këtë veprimtari bujqësore.

Kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës thonë se përkundër pandemisë nuk kanë zvogëluar çmimin për kilogram rrushi, ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural thonë se ata nuk mund të ndërhyjnë në çmimin e rrushit pasi që tregu është i lirë.

Sylejman Daka posedon një hektar vreshta, prej të cilave 70 ari me rrush të verërave dhe 30 ari rrush të tryezës, i cili thotë se çmimi prej 26 centë nuk ia mbulon as shpenzimet që ka bërë.

Ai thekson se këtë vit rrushi është i një cilësie shumë të mirë dhe një cilësi e tillë, sipas tij, prodhon edhe një verë të mirë. Daka thotë se kjo duhet të vlerësohet nga kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës.

“Çmimi prej 26 centësh që është paguar vitet e kaluara, vjet dhe parvjet, është çmim i ulët në krahasim me koston e cila nevojitet për kultivimin e rrushit, rrushit të cilësisë së mirë është i ulët prej 26 centësh. Mirë do të ishte që të jetë çmimi për një kilogram të jetë së paku 40 centë ose deri në 50 centë, që do të ishte më e pranueshme që të rritet normal edhe leverdia e vreshtarëve për kultivimin e rrushit”, thotë ai për KP.

Rritje të çmimit për kilogram rrushi kërkon edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Habib Dina. Ai potencon se çmimi prej 26 centë nuk është real dhe se i dëmton vreshtarët.

“Çmimi, të them të drejtën, nuk është çmim real pasi që brenda këtyre 10 viteve të fundit çmimet kanë pësuar një rënie shumë të madhe, do të thotë një rënie prej 100 përqind të çmimit. Varietet të cilët e kanë pasur çmimin ta zëmë 50 centë tani e kanë 25 centë, varietet të cilat e kanë pasur çmimin 30 centë tani e kanë 15 centë. Ne shpresojmë që këtë vit përpunuesit të merren më seriozisht sepse është edhe në të mirën e tyre kur ata na përkrahin neve për shkak se e rrisim ne si fermerë cilësinë. Do të thotë çmimet presim këtë vit të rriten”, thotë ai.