Vrau sot nënën në Dragash pas një historie të gjatë dënimesh dhe trajtimi psikiatrik, i dyshuari kishte tre aktgjykime të mëparshme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Restelicë të Komunës e Dragashit, ku një person e ka vrarë nënën e tij pas një sulmi fizik brutal. Lajmin për këtë, sot e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi. Ai ka thënë se i dyshuari, ka pasur…
Lajme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Restelicë të Komunës e Dragashit, ku një person e ka vrarë nënën e tij pas një sulmi fizik brutal.
Lajmin për këtë, sot e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi.
Ai ka thënë se i dyshuari, ka pasur probleme të shëndit mendor.
“Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejme ligjore. Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka thënë Bytyqi.
Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë sot edhe Prokuroria Themelore në Prizren, të cilët kanë thënë se i njëjti kishte çrregullime mendore dhe ishte i përfshirë në tri raste të dhunës në familje.
“Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese. Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, ka njoftuar Prokuroria në Prizren.
Në lidhje me këto vepra të tij, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, ka treguar se si janë trajtuar nga Dega në Dragash.
Sipas njoftimeve zyrtare të Gjykatës Themelore në Prizren, ndaj të dyshuarit Ferzidin Boza (Bota), janë trajtuar gjithsej tre raste penale:
Në rastin P.nr. 2/22, më 15.07.2022, ai ishte shpallur fajtor për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, për çka ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht, si dhe i ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik ambullantor në liri në kohëzgjatje prej dy vitesh.
Po ashtu, në rastin P.nr. 56/21, më 22.08.2022, i njëjti ishte dënuar për Dhunë në Familje, me 6 muaj burgim me kusht dhe sërish ishte urdhëruar trajtim i detyrueshëm psikiatrik në liri, i cili sipas ligjit nuk duhej të tejkalonte periudhën prej tre vitesh.
Ndërsa në rastin më të fundit, P.nr. 65/24, më 17.10.2024, ai ishte shpallur fajtor për Lëndim të lehtë trupor dhe dënimi me 6 muaj burgim i ishte zëvendësuar me gjobë prej 2,000 euro, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Megjithë këto masa gjyqësore dhe trajtime të detyrueshme psikiatrike, sot dyshohet se i njëjti person ka kryer veprën më të rëndë penale, vrasjen e nënës së tij.
Ky nuk është rasti i parë kur persona me të kaluar penale dhe histori recidivizmi përfundojnë të përfshirë në vepra të rënda penale, pavarësisht se më herët ndaj tyre ishin shqiptuar dënime dhe masa të ndryshme ligjore. /Lajmi.net/