Vrasjet në Kosovë, ekspertët flasin për motivet dhe pasojat
Në Kosovë, një fenomen i cili nuk është i panjohur por që kohët e fundit është bërë edhe më i pranishëm janë vrasjet.
Lajme
Pothuajse çdo ditë, në medie mund të lexohet për tentim-vrasje, therje me thikë, kanosje e vrasje, e këto probleme po bëhen çdo ditë e më të theksuara.
Se cilët janë faktorët që po ndikojnë në këtë lloj fenomeni në Kosovë, lajmi.net ka folur me ekspertin e sigurisë Ramadan Qehaja dhe me sociologun Ferdi Kamberi.
Eksperti Qehaja për lajmi.net është shprehur se mungojnë hulumtime në lidhje me këtë fenomen të rrezikshëm që po ndodh në Kosovë.
“Unë si qytetar mendoj se dukuria e vrasjeve të njerëzve me armë zjarri dhe armë të ftohta, rrahjet e ndryshme që po ndodhin pothuajse çdo ditë në Kosovë, janë edhe si shkak qe nuk janë bërë hulumtime në këtë drejtim se pse po ndodh”, tha Qehaja për lajmi.net.
Ai është shprehur se një ndër arsyet pse po ndodhin këto raste është dështimi në ndërprerjen e furnizimit të qytetarëve me armë zjarri, qoftë të brezit apo të krahut.
“Nuk e di numrin e saktë sa armë ka tek popullsia por janë me qindra-mijëra dhe kjo është për t’u brengosur”, tha Qehaja.
Qehaja ka vazhduar më tutje duke theksuar disa nga arsyet kyçe të cilat sipas tij po ndikojnë në shfaqjen gjithherë e më të madhe të këtij fenomeni.
“Policia, komuniteti një bashkësi nuk po funksionojnë ashtu siç duhet sepse duhet të dimë paraprakisht se cilat janë kontestet në mes të grupeve të ndryshme, personave në lagje, në rrugë, në qytet, fshat e tjera.
“Këtu nuk ka asnjë analizë. Nëse dikush – dikujt ia ka vrarë dikë, atëherë kjo është alarm për komunitetin dhe policinë që të marrin masa dhe të jenë më vigjilent në parandalimin e vrasjeve që kanë të bëjnë me hakmarrje apo gjakmarrje. Këto janë rastet që janë më shumë të rëndësishme për ne.
“Dhe çështja e tretë është çështja e varfërisë që e ka kapluar shoqërinë tonë në një shtresë të madhe dhe kjo po e bën të vetën.
“Ku njerëzit në mënyra të ndryshme tentojnë të mbijetojnë me grabitje e vrasje e që kohën e fundit kemi pasur shumë tentative grabitje e grabitje, pra edhe ky element i varfërisë e papunësisë ndikon në sigurinë në vend
Në katër duhet të themi se të gjitha këto që thash deri më tani, bëjnë që situata e sigurisë të jetë shumë e brishtë në Kosovë”, është shprehur Qehaja për lajmi.net.
Ndërsa në anën tjetër, sociologu Ferdi Kamberi ka vënë në dukje se fenomeni i vrasjeve është fenomen në rritje në vendin tonë.
“Fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 është një ndër ato fenomene i cili në vazhdimësi ka pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi”, është shprehur Kamberi.
E në lidhje me shkaqet për të cilat ndodhin vrasjet në Kosovë, Kamberi ka theksuar se periudha e tranzicionit, anomia, gjakmarrja, xhelozia, afekti dhe të ngjashme janë shkaktarët kryesorë të këtyre vrasjeve.
Gjithashtu, sociologu Kamberi ka theksuar se edhe problemet me alkool, depresioni kronik, stresi postraumatik, numri i madh i armëve në duart e qytetarëve dhe faktorët socio-ekonomik edhe pse nuk lidhen drejtpërdrejtë me këtë fenomen, ndikojnë fuqishmisht.
“Disa nga shkaqet e vrasjeve në Kosovë janë: periudha e tej zgjatur e tranzicionit e cila ka prodhuar edhe një krizë të vlerave dhe kjo e fundit apriori ka prodhuar një krizë të identitetit, anomia që ka të bëjë me mungesën e normave të shëndosha shoqërore, pastaj shpërfaqja e konflikteve ndër – personale në mes të individëve ose grupeve me prapavijë kriminale, shpërfaqja e konflikteve ndër personale në mes të individëve për motive të ulëta (sharje, fyerje, ngacmime, etj), gjakmarrja si formë e hakmarrjes e cila ka përcjellë shoqërinë tonë qysh herët dhe akoma vazhdon të jetë prezentë, pastaj afekti, xhelozia, gjendja psikologjike e krijuar nga mbidoza, problemet me alkool, depresioni kronik pasi që akoma kemi mungesë të trajtimeve adekuate të personave me depresion të thellë ose kronikë, stresi postraumatik, numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, qasja e vetë individëve që ligjin ta marrin në duar të tyre, faktorët individual, faktorët socio ekonomik edhe pse nuk lidhen drejtpërdrejtë me këtë fenomen, megjithatë në kontekstin e pabarazisë sociale mund të kenë një ndërlidhje, ndikimi i medieve sidomos filmave me përmbajtje kriminale, si dhe faktorë të tjerë”, ka sqaruar Kamberi për lajmi.net.
Kamberi ka cekur edhe dy llojet e teorive sociologjike sipas të cilave shpjegohet fenomeni i vrasjes.
“Teoritë sociologjike shpjegojnë se vrasjet gjithashtu ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe të sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve. Ndërsa, teoritë tjera flasin për një pabarazi të krijuar në shoqëri në mes të shtresave/klasave të ndryshme të cilat ndihen inferior në raport me të tjerët”, tha Kamberi për lajmi.net
Gjithashtu, Kamberi ka treguar për lajmi.net edhe pasojat të cilat mund të sjell ky fenomen për individin ose shoqërinë.
“Devijanca mund të sjell deri tek rrebelimi ndaj normave shoqërore dhe si e tillë ajo paraqet edhe pasoja të tjera për shoqërinë. Kështu që, fenomeni i vrasjes paraqet një problem gjithë shoqëror për shkak se përveç tjerash bart në vete edhe disa pasoja ndër to: izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, pasoja të tjera edhe për fëmijët përfshirë këtu linçimin publik (stigmatën), ndërprerjen e shkollimit, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera. Nëse nuk merren masa preventive me kohë atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjenëratat e reja, duke prodhuar kështu një shoqëri të dhunshme”, është shprehur Kamberi.
Por si mund të parandalohet ky fenomen? Kamberi ka theksuar se kjo mund të bëhet nëse ndërtohet një bashkëpunim më i madh mes njerëzve dhe institucioneve të sigurisë.
“Konsiderojmë se në parandalimin e këtij fenomeni i cili ka çrregulluar shoqërinë shqiptare, duhet që të ketë një ndërtim më të madh të besimit dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë, komunikim më konstruktiv brenda familjes si agjent i parë i socializimit, bashkëpunimin më të mirë brenda për brenda komunitetit, reagim më të shpejtë nga organet e rendit, patriullim më të shpeshtë nga organet e rendit, mediet gjithashtu duhet të kenë sa më shumë programe informative mbi vetëdijësimin e shoqërisë rreth këtij fenomeni dhe pasojat që rëndojnë mbi këtë fenomen, etj”, ka përfunduar sociologu Kamberi.
Sociologu Kamberi ka shpjeguar edhe aspektin ligjor të vrasjeve të ndryshme dhe sanksionimin e tyre me anë të ligjit.
“Vrasje do të thotë ta privosh dikë nga jeta dhe është një vepër penale është e sanksionuar edhe sipas Kodit Penal të Kosovës, ku neni 179 thekson se: “1. Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: 1.1. privon nga jeta fëmijën; 1.2. privon nga jeta femrën shtatzënë; 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes; 1.4. privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake; 1.5. privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë; 1.6. privon nga jeta personin tjetër me qëllim të fitimit të dobisë pasurore; 1.7. privon nga jeta personin tjetër me qëllim të kryerjes apo të fshehjes së ndonjë vepre tjetër penale, ose për të ndaluar personin nga dhënia e dëshmisë ose sigurimi në ndonjë mënyrë tjetër të informatave për policinë apo në procedurë penale; 1.8. privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt apo nga motive të tjera të ulëta, përfshirë hakmarrjen për dhënien e dëshmisë ose sigurimin në ndonjë mënyrë tjetër të informatave për policinë apo në procedurë penale; 1.9. privon nga jeta personin tjetër zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare; 1.10. privon nga jeta personin tjetër për motive racore, kombëtare ose fetare. 1.11. me dashje kryen dy apo më shumë vrasje, përveç veprave të cilat janë paraparë në nenin 180 dhe 182 të këtij Kodi; ose 1.12. privon nga jeta personin tjetër dhe më parë ka qenë i dënuar për vrasje, përveç veprave të cilat janë të parapara në nenin 180 dhe 182 të këtij Kodi”, ka shpjeguar Kamberi.
Vlen të theksohet fakti se në Kosovën e pasluftës, në duart e qytetarëve janë ende një numër i madh i armëve pa leje, si një ndër shkaqet e shumta të këtyre vrasjeve.
Shumë nga vrasjet ndodhin edhe për gjakmarrje ndërmjet familjeve të cilat mund të kenë filluar edhe shumë vite më parë. Nehat Sadiku/Lajmi.net/