Vrasje e trefishtë në Tiranë, vret vjehrrën, gruan dhe veten

Një krim i trefishtë në familje ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të së martës. Një person në lagjen Laprakë të Tiranës ka kryer një masakër të vërtetë duke vrarë fillimisht bashkëshorten e tij, vjehrrën dhe më pas veten.

Lajme

10/03/2015 09:43

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se autor i këtij krimi të rëndë është shtetasi Emiljano Rustemi, i cili ka hapur zjarr me një armë të tipit kallashnikov ndaj familjarëve të tij.

Nuk dihen shkaqet e sakta të kësaj ngjarjeje, por mësohet se çifti Emiljano dhe Izaura Rustemi, prindër të tre fëmijëve, ishin në proces divorci.

Dy nga viktimat, Ëngjëllushe Shaqiri dhe vajza e saj Izaura ishin të moshave 58 dhe 29 vjeçe.

Ndërkohë, fëmijët e çiftit janë marrë nën kujdestari menjëherë pas ngjarjes për shkak të moshës së vogël.

Vitin e kaluar, tre fëmijë të mitur në Shkodër mbetën jetimë për shkak të një vrasjeje në rrethana të ngjashme të prindërve të tyre. / Top Channel/