Vrasje e trefishtë në qendër të Evropës

Së paku tre persona janë qëlluar për vdekje para dhe brenda muzeut hebraik në Bruksel.

Bota

24/05/2014 20:13

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se tre persona kanë humbur jetën me rastin e një sulmi me armë zjarri që ndodhi të shtunën në qendër të kryeqytetit të Belgjikës, para dhe brenda muzeut hebraik. Një person i katërt është plagosur rëndë.

Mediat belge raportojnë se sulmi ka ndodhur rreth orës 15 e 50 minuta pasditen e së shtunës. Sulmuesi ka arritur me veturë në hapësirën e parkimit, ka dalë me një çantë shpine dhe pastaj ka filluar të qëllojë me armë para dhe brenda muzeut.  

Numrin e viktimave e ka konfirmuar edhe ministrja belge e Punëve të Brendshme, Joelle Milquet, e cila arriti menjëherë në vendin e ngjarjes.

Prefekti i Brukselit, Yvan Mayeur ka treguar se viktima janë tre meshkuj dhe një grua. 

Zëvendëskryeministri i Belgjikës, Didier Reynders, i cili ka qenë në mesin e njerëzve të parë që ka arritur në vendin e ngjarjes, ka thënë se është i tronditur.

Sulmuesi i dyshuar thuhet se është larguar me veturë nga vendi i ngjarjes, por dëshmitarët okularë i kanë regjistruar targatz e automjetit me të cilin është larguar sulmuesi.