“Vrasja nga pakujdesia” e 27-vjeçarit në Lipjan – krejt çfarë dihet deri tash

Në natën e 7 korrikut një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrje nga ana e policisë. Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”. Sipas Policisë së…

Lajme

08/07/2025 08:09

Në natën e 7 korrikut një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrje nga ana e policisë.

Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroj jetë në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues.

Të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.

“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.

Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.

Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.

Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit.