Vrasja mbrëmë në Prishtinë, nga Prokuroria thonë se ndërmarrin masat e nevojshme hetimore

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbrëmë në Prishtinë. Lajmin për këtë e ka konfirmuar mbrëmë edhe Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net. “Sot rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet…

Lajme

26/03/2025 11:14

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbrëmë në Prishtinë.

Lajmin për këtë e ka konfirmuar mbrëmë edhe Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Sot rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.

Përmes raportit 24 orësh të Policisë, është thënë se të dyshuarit kanë qenë të armatosur e me maska.

“Prishtinë 25.03.2025-22:25Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhej në raport. 

Lajmi.net ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë se po e hetojnë rastin.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Viktima e këtij rasti, sipas mjekut kujdestar në Emergjencë Agron Çitaku, gjysmë ore pasi është dërguar aty ka ndërruar jetë.

“Rreth orës 22:35 ka ardhur personi i parë i plagosur, ka qenë thuajse pa shenja jete. Është bërë reanimi i tij, për gjysmë ore, ka ndërru jetë. Pas 15 minutave ka ardhur i plagosuri tjetër që ka tri plagë por është në gjendje stabile. Personi që vdiq është rreth të 60-ave”, ka thënë Çitaku.