Vrasja e vëllezërve Bytyçi, në agjendën e marrëdhënieve SHBA-Serbi

Familja Bytyçi, pas njoftimit se kryeministri i Serbisë do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka porositur se "Goran Radosavljeviq - Guri, doemos duhet të përjashtohet nga SNS-ja", partia e Aleksandar Vuçiqit.

Lajme

17/04/2015 11:02

Kryeministri serb gjatë vizitës në Washington, në të cilën e ka ftuar nënkryetari i ShBA Joe Biden, do të bisedojë për shumë çështje: Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit si për rastin Bytyçi dhe djegien e Ambasadës amerikane në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, transmeton “Blic” i Beogradit.

Se rasti i tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, shqiptarë nga Kosova, Ylli, Agron dhe Mehmet, pjesëtarë të UÇK-së që u vranë në poligonin policisë serbe në afërsi të Klladovës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999, detyrimisht do të jetë pjesë e agjendës së kësaj vizite, ka thënë vëllai i të ndjerëve Fatos Bytyçi, transmeton Koha.net .

“Ne besojmë në vendimorin e e kryeministrit Vuçiq që drejtësia të shkojë në vend dhe që të përmirësohen marrëdhëniet bilaterale të Serbisë e të ShBA. Të gjithë kryetarë serbë, kryeministrat dhe zyrtarët e lartë deri më tash kanë shkelur të gjitha premtimet për këtë rast, por anëtarët e Kongresi amerikan e të State Departmentit do të vazhdojnë së insistuari për këtë”, ka thënë Bytyçi

Bytyçi ka theksuar se “prokurorët serbë besojnë se Guri është i dyshimti kryesor për këtë rast, i cili edhe po pengohet hetimet dhe po i frikëson dëshmitarët”.