Vrasja e politikës

Mund të ndodhë që viktimizimi i një politikani, çfarë ishte Oliver Ivanoviq, të shkaktojë zhvillime krejt të kundërta prej atyre të synuara prej autorëve të mirëfilltë të vrasjes.

Lajme

18/01/2018 10:44

Vrasjet me prapavijë të qartë politike, çfarë është kjo e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë, këtë të martë, kanë rëndom një karakter të dyfishtë. Ato, në njërën anë, janë një ndëshkim kapital, për një figurë politike, për ta eliminuar atë një herë e përgjithmonë nga politika e një vendi, por në anën tjetër, këto vrasje janë të mbushura me porosi të nduarnduarta dhe me synime për t’i ndalur rrjedhat kryesore politike në një vend, apo, për ta instaluar ndryshimin e tyre rrënjësorë, në drejtimin që i konvonon atij që qëndron prapa një atentatit të kësisojt politik.

Pra, veprimet e këtilla ndërlidhin të kaluarën  (biografinë e një politikani), me të tashmen dhe të ardhmen politike të një vendi.

Me disa plumba pra, me një vrasje, pretendohet t’i ndryshohet kahja zhvillimeve politike dhe shoqërore në një vend.

Zakonisht, vetë fuqia politike e viktimës, e cila është në krye të proceseve madhore në një shtet, në një vend, ndalet dhe zhbëhet në një çast me vrasjet e këtij lloji. Ta zëmë, këtu mund të përmendim vetëm rastin e vrasjes së Yitzhak Rabinit, Kryeministrit të Izraelit, në vitin 1995, e cila pati pasoja fatale për Marrëveshjen e Oslos midis Qeverisës ë këtij shteti dhe udhëheqësisë palestineze. Kjo Marrëveshje i kishte hapur rrugë zgjidhjes përfundimtare të çështjes palestineze. Sot e kësaj dite, raportet e Izraelit dhe Palestinës, janë të influencuara nga kjo vrasje. Qëmoti gjithçka do të ishte zgjidhur po mos të ishte vrarë Rabin.

Por në rastin e Ivanoviqit, ai vetë, si personalitet, nuk bartte në vete fuqi reale politike, e cila do të ishte aktualisht kërcënim për këdoqoftë në Veri të Kosovës. Pra, në këtë rast, me gjasë, shumë më me rëndësi ka porosia kryesore e vrasjes së tij, që ndërlidhet me vetë gjendjen në Veri të Kosovës, dhe me mundësinë që ajo të ndryshojë, për të mirë.

S’do mend që gjithçka çka është parë në ditët e fundit në Veri të Kosovës, është dëshmi që atje gjendja është larg asaj që ka mbretëruar para disa viteve. Oliver Ivanoviq, në këtë kontekst,  ka merita që skema e interpretimeve dhe të reagimeve tek qytetarët e rëndomtë serbë të Veriut, por edhe kudo tjetër në Kosovë, ka ndryshuar me themel. Sikur pesë-gjashtë vite më parë, dikush do ta gjuante me gurë Oliver Ivanoviqin, menjëherë do të shfaqeshin formulimet e rëndomta që shqiptarët e kanë sulmuar një politikan serb me qëllim të frikësimit të të gjithë serbëve. Nuk do të vononte shumë dhe e gjithë Mitrovica Veriore do të bllokohej me barikada. Do të krijohej një tjetër krizë politike në këto anë të Kosovës. Do të flitej madje edhe për rrezikun e incidenteve të armatosura. Zatën Veriu që prej përfundimit të luftës në Kosovës është parë si një fuçi baroti, shpërthimi i të cilës kërkon një ‘fitil’ të shkurtër, apo, një incident të çfarëdo natyre.

Asgjë prej këtyre zhvillimeve lehtë të parashikueshme në Veri të Mitrovicës dhe të Kosovës, nuk u shënua ditëve të kaluara.

Vet Ivanoviq, në të gjitha intervistat dhe paraqitjet e tij publike të muajve të fundit, ka shpjeguar qartë që politika në Veri të Kosovës, nuk është më reflektim i tensioneve etnike, në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Mbi të gjitha, Veriu i Kosovës, gjendja atje, është pasojë e mungesës së Sundimit të ligjit, i mungesës së sigurisë themelore për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, gjë që pastaj ka tagrin e vet në të gjitha zhvillimet e tjera.

Kushdo që ka urdhëruar vrasjen e Ivanoviqit, ka për synim kryesor të vetin që të pamundësohet që pas zhvillimeve politike të cilat ecin në drejtimin e integrimit politik të kësaj ane të Kosovës, të ndryshojnë thelbësisht rrethanat kur organizimi i vetëm funksional në këto pjesë të Kosovës është ai që nuk konteston vetëm Sundimin e ligjit (kosovar), në Veri, por çdo ligjshmëri, çdo rend, çdo siguri të mundshme.

Në anën tjetër, dihet edhe botërisht  (çdo hulumtim i opinionit në Veri të Kosovës e vërteton këtë), që serbët e Veriut janë gjithnë e më të dëshpëruar me ofertën që u vie nga Beogradi zyrtar, por ky dëshpërim, nuk është kthyer në një vullnet për tu afruar kah Prishtina, sepse këtë në radhë të parë nuk e lejojnë sunduesit e mirëfilltë të Veriut.

Sidoqoftë, mund të ndodhë që viktimizimi i një politikani, çfarë ka qenë Oliver Ivanoviq, të shkaktojë zhvillime diametralisht të kundërta prej atyre të planifikuara prej autorëve të mirëfilltë të vrasjes. Nëse do të shënohet diçka e tillë, ky do të ishte paralajmërimi më i mirë i mundshëm që njëmend Kosova dhe Serbia ia kanë mësyer normalizimit të marrëdhënieve./Lajmi.net/