Vrasja e Liridonës- Gjykata dënon Tom Dodajn me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë
Tom Dodaj është dënuar me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për vrasjen e Liridona Ademajt. Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me pesë vjet burgim e 5 mijë euro gjobë Tom Dodajn, i cili akuzohet se ia kishte shitur Naim Murselit e Granit Plavës, armën me të cilën ishte kryer vrasja…
Lajme
Tom Dodaj është dënuar me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me pesë vjet burgim e 5 mijë euro gjobë Tom Dodajn, i cili akuzohet se ia kishte shitur Naim Murselit e Granit Plavës, armën me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.
Ai është dënuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, shkruan Lajmi.net
Gjyqtarja deklaroi se ekzekutimi i dënimit me burgim do të bëhet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së vendimit. Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Paraprakisht Dodaj e pranoi fajësinë për veprën që ngarkohet. Pranimin e fajësisë nga ana e tij e bëri të ditur avokati i tij.
“Vullnetarisht ka vendosur ta pranojë fajësinë”, deklaroi ai.
Pastaj gjyqtarja pyeti vëllain e Liridonës, nëse pajtohen me pranimin e fajësisë, ku ai tha se “Po pajtohem plotësisht”.
Më pas gjyqtarja deklaroi se familja Ademaj e mirëpresin pranimin e fajësisë.
“E mirëpresin pranimin e fajësisë nga i akuzuari Tom Dodaj”, tha ajo.
Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.