Vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, i dyshuari ende në arrati

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë gjithë vendin. Gruaja shtatzënë e cila po pritej të sillte në jetë foshnjën e saj, është vrarë mbrëmë në oborrin e klinikës Gjinekologjike në kuadër të QKUK-së. 35 vjeçarja, me inicialet H.M, nga Komuna e Lipjanit është vrarë nga personi i dyshuar, i cili ishte ish-bashkëshorti i saj.…

Lajme

01/12/2022 08:20

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë gjithë vendin.

Gruaja shtatzënë e cila po pritej të sillte në jetë foshnjën e saj, është vrarë mbrëmë në oborrin e klinikës Gjinekologjike në kuadër të QKUK-së.

35 vjeçarja, me inicialet H.M, nga Komuna e Lipjanit është vrarë nga personi i dyshuar, i cili ishte ish-bashkëshorti i saj.

E njëjta theksohet të ketë qenë në proces të divorcit, ndërsa i dyshuari në këtë rast shtiu tri herë radhazi mbi trupin e viktimës e cila po barte foshnjën që ishte paraparë të lindte sot.

Që nga orët e mbrëmjes Policia e Kosovës është në kërkim të të dyshuarit në këtë rast, S.M nga Shtimja.

Si fillim Policia konfirmoi rastin ndërsa u theksua se janë duke vazhduar hetimet në lidhje me këtë rast.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka deklaruar Ahmeti.

Duhet përkujtuar që identifikim i të dyshuarit në këtë rast tashmë është bërë, teksa Policia e Kosovës është në kërkim të tij.

Ndryshe disa nga familjarët e viktimës të cilët janë deklaruar mbrëmë para mediave kanë bërë të ditur se çifti kanë pasur probleme edhe më herët.

E njëjta e kishte raportuar të dyshuarin edhe më parë në Policinë e Kosovës, ndërsa nga Gjykata ishte vendosur që ajo të jetë nën mbrojtje dhe që i dyshuari të qëndrojë larg saj.

Pavarësisht kësaj, gjatë kohës sa ajo kishte dalë për shëtitje jashtë objektit të Gjinekologjisë në QKUK, i njëjti i është afruar ku edhe i mori jetën asaj dhe foshnjës, që sot pritej të vinte në jetë./Lajmi.net/