Votuan 22.38 për qind

Pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme të zhvilluara në Veriun e Mitrovicës, siipas të dhënave nga KQZ, në total ka qenë 22. 38 për qind, ose 5231 votues, prej të cilëve 997 kanë votuar me kusht.

Lajme

17/11/2013 12:00

(E Plotësuar 20:10) 

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, njoftoi në një konferencë për meida, se pjesëmarrja në votime e qytetarëve në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut ka qenë 22.38 për qind, ose 5231 votues, prej të cilëve 997 kanë votuar me kusht.

“Sipas raportit të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, dalja e votuesve në tri qendrat e votimit  ka qenë 22,38 për qind, nga të gjithë votuesit e këtyre tri qendrave në komunën e Mitrovicës së Veriut” .

“Të gjitha vendvotimet në të tri qendrat e votimeve janë mbyllur me kohë dhe nuk është shënuar ndonjë incident apo ndonjë raportim për ndonjë parregullsi që do ta lëndonte procesin zgjedhor”.

“KQZ, në pajtim me autorizimet e dhëna nga ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe rekomandimi i OSBE’së, ka marrë vendim që procedurat pas mbylljes së vendvotimeve të zhvillohen në QNR”.

Të drejtë vote në tri qendrat e votimit ku janë përsëritur zgjedhjet sot në Mitrovicën e Veriut kishin 23.878 votues.

 

Deri në orën 15:00, votuan 16.39 për qind

(E Plotësuar: 16:00)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se dalja e votuesve në zgjedhjet që po zhvillohen në tri vendvotime në Mitrovicën Veriore,  deri në orën 15:00, është 16.39 për qind, ose 3.831 votues.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, tha se ecuria e procesit të votimit deri në këtë kohë ka qenë normale dhe pa probleme.

Ajo tha se gjithçka po shkon në rregull.

“Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ngjarje e cila kishte me cenuar rend procesin zgjedhor apo kishte me dëmtuar procesin e njëjtë”, ka thënë Valdete Daka

Duke pasur parasysh se janë vetëm tri qendra të votimit në Mitrovicën Veriore, Daka bëri të ditur se sonte mund të shpallen rezultatet preliminare, megjithëse nuk e ka përmendur orën, pasi, sipas saj, nuk varet prej tyre, por nga ajo se sa shpejt mund të numërohen votat.

Konferenca e radhës e KQZ’së pritet të jetë në orën 20:00.

 

Deri në orën 11:00, votuan 7.10 për qind në Veri

Janë dhënë shifrat e para të daljes së qytetarëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rivotimet që po bëhen sot në tri vendvotime në Mitrovicën Veriore, të cilat u ndërprenë dhunshëm më 3 nëntor.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka,  bëri të ditur se sipas të dhënave të raportuara nga Komisioni Komunal të Zgjedhjeve, dalja e votuesve në zgjedhje deri në orën 11:00 në tri Qendrat e Votimit në komunën e Mitrovicës së Veriut është  1, 660, ose 7.10 për qind.

Daka ka pohuar se nga informatat që kanë nga KKZ’të nuk kanë ndonjë raportim për ndonjë parregullsi të evidentuar gjatë procesit të votimit në këto tri qendra të votimit.

Ndërsa, lidhur me numërimin e votave, ka thënë se do të bëhet në ato qendra ku edhe votohet, përveç nëse paraqitet ndonjë problem, atëherë ato do të barten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ndryshe të drejtë vote në këtro tri vendvotime kanë rreth 23 mijë qytetarë.

Qeveria  e Serbisë ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në votimet e sotme, për të mundësuar zgjedhjen  e një Kryetar serb për Komunën e Mitrovicës Veriore.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka pohuar se procesi i votimit në Veri deri tani ka rrjedhur në mënyrë të rregullt.

Për sigurinë e procesit të sotëm zgjedhor janë angazhuar një numër i madh i mekanizmave të sigurisë, përfshirë KFOR’in, EULEX’in dhe Policinë e Kosovës.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në Stacionin e  Veriut, Besim Hoti, thotë për lajmi.net se  deri tash nuk është raportuar për ndonjë incident në këtë pjesë, ku po zhvillohen votimet për Kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore.

“Sa i përket situatës së sigurisë, nuk kemi ndonjë informacion që vlen të përmendet”.

“Faktikisht Policia e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë incident të vetëm deri më tani në aspektin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor. Policia e Kosovës i ka ndërmarr të gjitha masat e duhura për të siguruar një atmosferë të sigurt për të gjithë votuesit”.

“Që nga orët e mëngjesit, Policia e Kosovës së bashku me OSBE’në, ka bërë përcjelljen e materialit zgjedhor, të gjitha qendrat e votimit janë hapur ashtu siç ishte paraparë dhe asnjë incident i vetëm nuk është regjistruar”.

“Policia është e gatshme që të pengojë çdo grupim të pjesëtarëve të grupeve që kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor”, ka thënë Zëvendëskomandanti Hoti për lajmi.net.