Votohet Plani i Rritjes me BE-në, Kosova përfiton afron 900 milionë euro
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 6 abstenime, duke i hapur rrugë përfitimit të qindra milionë eurove nga Bashkimi Evropian. Projektligji u prezantua në seancë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili bëri të ditur se Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, transmeton lajmi.net.…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 6 abstenime, duke i hapur rrugë përfitimit të qindra milionë eurove nga Bashkimi Evropian.
Projektligji u prezantua në seancë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili bëri të ditur se Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, transmeton lajmi.net.
“Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pra është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”, tha Murati.
Kosova ishte vendi i fundit në rajon që e miratoi Planin e Rritjes, ndërsa fondet kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së zgjatur të institucioneve.
Plani i Rritjes për periudhën 2024–2027 përfshin një paketë prej 6 miliardë eurosh, të miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të vitit 2023, me synim përkrahjen e përafrimit të ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane./lajmi.net/