Vota e lirë e të burgosurve
Një memorandum bashkëpunimi ndërmjet KQZ’së dhe Ministrisë së Drejtësisë u mundëson të burgosurve të votojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Edhe ata mund ta shfrytëzojnë të drejtën për të zgjedhur, lirshëm.
Lajme
Të gjithë të burgosurit dhe të paraburgosurit në Kosovë do ta kenë mundësinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Kjo është bërë e mundur me anë të një memorandumi të bashkëpunimit të nënshkruar të martën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Drejtësisë.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete, Daka tha se personat e burgosur dhe paraburgosur do të votojnë ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, për komunat nga të cilat vijnë, pavarësisht se në cilin burg janë duke vuajtur dënimin apo pritur vendimin e gjykatave.
“Me këtë memorandum në kuadër të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale u është mundësuar të gjithë atyre personave me nevoja të veçanta dhe në kushte të veçanta që ta ushtrojnë të drejtën e tyre që të votojnë.”
“Në këtë rast kemi të bëjmë me të burgosurit dhe paraburgosurit që do t’ju mundësohet dhe do t’ju lehtësohen të gjitha kushtet që ta ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese që ju garantohet edhe me Kushtetutë edhe me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme”.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se dikasteri i tij do të ofrojë të dhëna për të gjithë të burgosurit dhe paraburgosurit dhe do t’u krijojë kushte adekuate që ata të votojnë në mënyrë të lirshme dhe demokratike.