Vonesat në projektin e ngrohjes së qytetit me avull kushtojnë 7 milionë euro
Aktivizimi i ngrohjes me avull nga termocentralet pritet t’i kushtojë KEK-ut dhe KEDS-it me humbje prej 7 milionë eurove.
Lajme
Drejtuesit e këtyre dy kompanive kanë thënë se kjo kosto ka mundur të shmanget sikur “Termokosi” të mos i ketë neglizhuar afatet e realizimit të punëve.
Tash, për të finalizuar punimet, përkatësisht intervenimet softuerike, duhen 11 ditë.
Për aq kohë, Njësia B1 duhet të ndalë prodhimin, kurse KEDS-i duhet të importojë energjinë elektrike.
Në “Termokos” nuk kanë dashur të komentojnë shkaqet e vonesës.
Zëdhënësja Afërdita Uka-Fejzullahu, nëpërmjet një SMS-je, ka thënë se aktualisht janë duke zhvilluar takime intensive me KEK-un për të gjetur një zgjidhje sa i përket projektit të koogjenerimit, shkruan sot ‘Koha Ditore’.
Ka thënë se së shpejti do të dalin me një komunikatë për media rreth këtij projekti.
E në Komunën e Prishtinës nuk flasin për fajtorët që kanë çuar në vonesën e këtij projekti.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se aktualisht nuk mund të konstatojnë se kush ka qenë fajtor për këtë vonesë .