Von der Leyen: Vendet e rajonit, qendra të prodhimit dhe ruajtjes së energjisë së pastër

Në forumin e parë të Investimeve Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot se një nga iniciativat thelbësore ekonomike të BE-së për rajonin ka të bëjë me energjinë e pastër. Sipas presidentes së KE-së, prodhimi i energjisë së pastër do të ulë…

Lajme

13/10/2025 14:59

Në forumin e parë të Investimeve Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot se një nga iniciativat thelbësore ekonomike të BE-së për rajonin ka të bëjë me energjinë e pastër.

Sipas presidentes së KE-së, prodhimi i energjisë së pastër do të ulë çmimet e energjisë dhe do të krijojë vende të reja pune, shkruan ATSH.

“Zhvillimi i teknologjive të klasit të lartë të pastër është jetik jo vetëm për planetin, është jetik edhe për konkurrueshmërinë tonë. Çdo biznes, drejtues biznesi, çdo familje në Evropë kujton krizën energjetike që u shkaktua me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe ndërprerjen e gazit për ne. Ju kujtohet tronditja e marrjes së faturave të papërballueshme të energjisë elektrike, çmime të cilat u rritën me shpejtësi, por që së bashku i tejkaluam ditët më të këqija të kësaj krize, kjo edhe përmes mbështetjes evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duhet theksuar se faturat janë ende mjaft të larta dhe e ne e dimë se çfarë i rrit çmimet: është varësia jonë nga energjia fosile e importuar, por e dimë se çfarë i ul këto çmime. Duam dhe duhet të prodhojmë energji më të pastër këtu në shtëpi.

“Energjia e ripërtërishme është një energji që prodhohet së brendshmi, kësisoj na jep pavarësi, është energji me kosto të ulët. Kësisoj ulen çmimet e po kështu krijon vende të mira pune këtu në Evropë. Por, përpos prodhimit të energjisë së pastër, na duhet po kështu të ecim edhe më mirë sa i përket ruajtjes së shkëmbimit të ndarjes së tij”, u shpreh Von der Leyen.

Von der Leyen shtoi se “kjo energji duhet të ruhet kur ka bollëk dhe duhet të mund të transferohet lirisht aty ku është nevoja më e madhe dhe këtu bëhet sërish vendi thelbësor i Ballkanit Perëndimor në Evropë. Ju jeni të pozicionuar strategjikisht në kontinentin tonë. Vendet tuaja mund të bëhen qendra prodhimi, ruajtje e ndarjeje të energjisë së pastër me pjesën tjetër të Evropës”.

“Sot do të nënshkruani një sërë marrëveshjesh për investime, që bëjnë pikërisht një gjë tillë: nga prodhimi i energjisë së pastër në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në ruajtjen e energjisë në Malin e Zi”, theksoi presidentja e KE-së.

Sipas Von der Leyen-it, “këto investime do të ulin koston e energjisë elektrike e po kështu do të kontribuojnë në pavarësinë tonë të përbashkët energjetike, kështu që më lini të jem shumë e qartë; ju po ndërtoni një shtyllë kurrizore të re energjetike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por po e ndërtoni atë për të gjithë Evropën, dhe ju jemi shumë mirënjohës për këtë hap novator përpara që po hidhni në emër të BE”.