Von der Leyen të enjten në Kosovë, takime me Haxhiun dhe Kurtin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, në kuadër të një vizite disa ditore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Kosovë, më 1 tetor, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti,…
Lajme
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, në kuadër të një vizite disa ditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, më 1 tetor, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti, transmeton lajmi.net.
Vizita në rajon nis të mërkurën në Tiranë dhe vazhdon në Prishtinë e Podgoricë, ndërsa turneu përmbyllet të premten në Shkup.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë procesi i integrimit evropian, reformat që lidhen me rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Vizita e shefes së Komisionit Evropian zhvillohet në një kohë kur Brukseli po punon në përgatitjen e udhërrëfyesve për disa vende kandidate që kanë shënuar përparim në procesin e integrimit. Von der Leyen e kishte paralajmëruar këtë nismë në fjalimin e saj të 16 shtatorit, megjithëse pa specifikuar vendet që do të përfshihen.
Sipas raportimeve, në Ballkanin Perëndimor udhërrëfyesit pritet të lidhen me Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa në Evropën Lindore me Moldavinë dhe Ukrainën. Dokumentet synojnë të përcaktojnë reformat, kushtet dhe afatet orientuese për hapat e mëtejmë në procesin e negociatave, por deri tani nuk janë publikuar zyrtarisht.
Pas Kosovës, von der Leyen do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Mali i Zi aktualisht ka hapur të 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre.
Ndërkohë, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë turne. Sipas Komisionit Evropian, von der Leyen planifikon t’i vizitojë këto dy shtete në një periudhë të mëvonshme, në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje./lajmi.net/