Von der Leyen njofton planin “Riarmatimi i Evropës”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot një plan, që ajo e quajti “Rarmatimi i Evropës”, të cilin ajo do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë. Komentet e saj pasojnë përpjekjet në rritje të Bashkimit Evropian për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Njoftimi shkaktoi një…

Bota

03/03/2025 19:11

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot një plan, që ajo e quajti “Rarmatimi i Evropës”, të cilin ajo do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë.

Komentet e saj pasojnë përpjekjet në rritje të Bashkimit Evropian për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

Njoftimi shkaktoi një rritje të aksioneve të kompanive evropiane të prodhimit të armëve.

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se do të informojë vendet anëtare të martën për planet për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe aftësitë ushtarake të BE-së.

“Nesër do të informoj vendet anëtare përmes një letre për planin Riarmatimi i Evropës. Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm përmes forcës, që fillon me forcimin e vetes sonë”, tha ajo.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin dhe për të përgatitur një force paqësore për dislokim të mundshëm në Ukrainë.

Njoftimet për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, shkaktuan një rritje të aksioneve të kompanive të prodhimit të armëve në Evropë.

Monedha evropiane Euro u forcua, duke shënuar një rritje në tregun e këmbimit të valutave kundrejt dollarit, ndërsa investitorët u dyndën në tregun evropian të aksioneve, ku një indeks i kompanive të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes “.SXPARO” arriti nivele rekord.

Evropa është përballur me trysni për të shpenzuar më shumë për sigurinë e saj pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe nevoja për të vepruar është bërë urgjente, pasi evropianët, përfshirë Ukrainën, janë lënë mënjanë në bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi të dielën se palët në bisedime për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë po shqyrtojnë krijimin e një fondi të mbrojtjes.

Në mesditë, aksionet në kompaninë më të madhe të mbrojtjes në rajon “BAE Systems” u rritën me rreth 15%, ndërsa ato të kompanisë gjermane “Hensoldt”, e cila prodhon sisteme elektronike për avionët luftarakë “Eurofighter”, u rritën me 22%, duke arritur në një nivel rekord.

Aksionet e prodhuesit të tankeve “Leopard 2”, “Rheinmetall” u rritën me 12%, ato të kompanisë italiane të mbrojtjes “Leonardo” me 11% dhe aksionet e kompanisë më të madhe evropiane të teknologjisë së mbrojtjes “Thales” u rritën me rreth 13%.

Analistët e kompanisë “JPMorgan” thonë se ngjarjet e dy javëve të fundit kanë “forcuar” tezën e tyre për një cikël riarmatimi të Evropës.

Bashkimi Evropian beson se 500 miliardë euro investime janë të nevojshme gjatë dekadës së ardhshme. Por rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në nivel 3% të prodhimit të brendshëm do të kërkonte gati 200 miliardë euro në vit më shumë. /VOA

 

Lajme të fundit