Von der Leyen: Kosova, Serbia dhe BeH po humbasin fonde nga Plani i Rritjes
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve të humbura nga Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel, bëri të ditur se fondet do të orientohen drejt vendeve…
Lajme
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve të humbura nga Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel, bëri të ditur se fondet do të orientohen drejt vendeve që kanë shënuar përparim më të madh në zbatimin e reformave.
“Sa i përket Planit të Rritjes, ne jemi shumë të interesuar që fondet e qasshme të përdoren. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, sepse paratë janë në dispozicion dhe duhet të investohen për të arritur rezultate”, deklaroi von der Leyen në një konferencë për media.
Burime të Radios Evropa e Lirë brenda BE-së kanë konfirmuar jozyrtarisht se fondet shtesë pritet t’i përfitojnë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme një pjesë të fondeve për shkak të moszbatimit të reformave brenda afateve të përcaktuara.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura shumat që ka humbur secili shtet dhe sa mjete shtesë do të përfitojnë vendet e tjera.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kap vlerën e 6 miliardë eurove, prej të cilave 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë kredi me kushte të favorshme.
Fondet ndahen 2 herë në vit, në varësi të përmbushjes së reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Në samitin e Brukselit, institucionet evropiane riafirmuan përkushtimin ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e kushtëzuar përparimin e tyre me zbatimin e reformave.