Von der Leyen i thotë Ramës se “Shqipëria e ka vendin në BE”

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë uruar të mërkurën kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e lartësoi “përparimin e madh” të Shqipërisë drejt bllokut. “Le ta vazhdojmë punën së bashku në reformat evropiane. Shqipëria e ka…

Lajme

14/05/2025 14:13

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë uruar të mërkurën kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e lartësoi “përparimin e madh” të Shqipërisë drejt bllokut.

“Le ta vazhdojmë punën së bashku në reformat evropiane. Shqipëria e ka vendin në BE!” shkroi von der Leyen në X.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e lartësoi fitoren e Ramës, duke shkruar në X: “Franca gjithmonë do t’i qëndrojë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”.

Partia Socialiste e Ramës i fitoi 52.1 për qind të votave të dielën, duke e lënë mbrapa aleancën opozitare të udhëhequr nga Sali Berisha, e cila doli e dyta me 34.2 për qind, sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

BE-ja i ndoqi nga zgjedhjet në Shqipëri, të cilat u cilësuan si një provë e pjekurisë demokratike të këtij vendit ballkanik.

Rama, 60 vjeç – i cili e fitoi mandatin e katërt – e përqendroi fushatën e tij tek integrimi evropian.

Premtimi i tij kryesor në fushatë ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

Krerët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, do të takohen me Ramën të enjten në Tiranë, ku të premten do të mbahet një mbledhje e Komunitetit Politik Evropian – një forum strategjik gjashtëmujor që mbledh 47 vende nga brenda dhe jashtë BE-së.

“Urimet e mia më të përzemërta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse në zgjedhje. Mezi pres të të uroj personalisht në Tiranë nesër”, tha Costa, i cili kryeson këshillin që përfaqëson shtetet anëtare të BE-së.