​Von der Leyen e bën horë Vuçiqin: Qëndrimi i BE-së nënkupton liri, jo shtypje

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është treguar e ashpër me Beogradin zyrtar gjatë vizitës së saj sot në Serbi. Kritikat ajo i shprehu në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. E para e Komisionit Evropian tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian nënkupton liri, jo shtypje, duke përfshirë…

Lajme

15/10/2025 15:29

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është treguar e ashpër me Beogradin zyrtar gjatë vizitës së saj sot në Serbi.

Kritikat ajo i shprehu në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

E para e Komisionit Evropian tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian nënkupton liri, jo shtypje, duke përfshirë të drejtën për tubim paqësor.

“Ne mbështesim partneritetin, jo nënshtrimin”, shtoi ajo duke referuar dhunës së autoriteteve serbe ndaj demonstruesve në Serbi në shumë tubime që u mbajtën për muaj me radhë në shenjë pakënaqësie ndaj shembjes së një tende hekurudhor në nëntor 2024 në Novi Sad që la 16 të vdekur, raporton KosovaPress.

Ajo tha gjithashtu se pret një shkallë më të madhe harmonizimi në politikën e jashtme, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë, e të cilat Serbia nuk i ka vendosur duke qëndruar krah mikut të saj të madh Vladimir Putin.

Kur u pyet se ku e sheh një zgjidhje për situatën aktuale në Serbi, Von der Leyen tha se ky është një moment vendimtar për Serbinë dhe se është koha që i gjithë populli të bashkohet dhe të forcojë themelet e një demokracie efektive.

“Mundësia për anëtarësim në BE premton paqe, prosperitet dhe solidaritet, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në kohë krize. E keni parë në praktikë, merrni si shembull krizën energjetike të vitit 2022, e përballuam së bashku, BE-ja u ka ofruar të njëjtat masa partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor, njësoj si shtetet anëtare. Kjo do të thotë që dikush është një partner i besueshëm, ne e lidhim Serbinë me tregun e energjisë të BE-së, kjo është një garanci se familjet serbe do të jenë të sigurta dhe të ngrohta. Ne e kemi ftuar Serbinë të bashkohet me mekanizmin e prokurimit të gazit”, tha Von der Leyen.