Von Cramon-Vuçiqit: Nuk është mirë të jesh në anën e Putin-it, Kosova dhe Serbia duhet ta kenë vendin në BE

Eurodeputetja, Viola von Cramon ka deklaruar se ka zhvilluar së fundi një bisedë shumë të rëndësishme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajme

30/05/2022 16:15

Ajo tha se me këtë rast kanë diskutuar lidhur me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, teksa tha se Serbia duhet të vendos se në anën e kujt është, teksa shtoi se nuk është mirë të jesh në anën e presidentit rus, Vladimir Putin, apo thënë qartë në anën e gabuar të historisë.

“Ne diskutuam për disa tema, duke filluar nga çështja e sanksioneve energjetike, varësia energjetike nga Rusia, alternativat e ndryshme për Serbinë, duke përfshirë burimet e ri përsëritshme të energjisë, efikasitetin e energjisë”, tha Von Cramon.

Ajo tha se padyshim që është diskutuar marrëdhënia e ngushtë që ka Serbia me Rusinë.

“Ne folëm edhe për lidhjet ekonomike dhe ato infrastrukturore ruse, e që kanë ndikim në politikën e jashtme të Serbisë si dhe në hapësirat për manovrim. Do të ishte mirë që Serbia të zvogëlojë varësinë e saj nga karburantet e Rusisë. Mendoj se BE-ja është e interesuar që ta afrojë Serbinë me Bashkimin Evropian, por sigurisht i takon Serbisë që të vendosë diçka të tilla. Ne e bëjnë të qartë se partnerët tanë evropianë janë në përputhje me masat tona evropiane, e që do të thotë se përfshihen edhe sanksionet”, tha ajo, transmeton lajmi.net.

Eurodeputetja Von Cramon shtoi se i takon presidentit serb dhe qeverisë serbe që të vendosin se si ta trajtojnë këtë.

“Presioni për atë çështje do të rritet. Nuk është në dorën e BE-së, por është një vendim që duhet ta merrni, se në anën e kujt jeni. Pra a e sheh vendin e tij në BE, në familjen evropiane. Serbia është padyshim evropiane, e është në interesin edhe tonë që Serbia të jetë në përputhje me politikën e BE-së”.

Ajo theksoi se nuk ka biseduar shumë për detajet e kësaj çështje.

“Unë mendoj se ai është i vetëdijshëm se varësia nga Rusia nuk është e shëndetshme dhe e mirë për ekonominë serbe, se lufta është le të themi një manovër e rrezikshme, nuk është mirë të jesh në anën e Putinit, apo në anën e gabuar të historisë. Jam i sigurt se kemi rënë dakord për këtë”, tha Von Cramon.

Eurodeputetja tha se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, pasi kjo është në interesin e të gjithëve.

“S’bëhet fjalë vetëm për Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që Kosova të marrë vendin e saj. Nuk është në interesin tonë që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës. Do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë brenda BE-së.”./Lajmi.net/