Vlora Hyseni bën histori- Udhëheqëse e mbledhjeve më të rëndësishme të inteligjencës në Bruksel, në Kosovë e shkarkuan

Vlora Hyseni është emër i njohur në Kosovë, por edhe më gjerë. Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar, Vlora Hyseni së fundi ishte kryesuese e Komitetit Civil të Inteligjencës së NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është takuar këtë të mërkurë me krerët e shërbimeve të inteligjencës civile dhe anëtarët e inteligjencës…

Lajme

21/11/2025 11:35

Vlora Hyseni është emër i njohur në Kosovë, por edhe më gjerë.

Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar, Vlora Hyseni së fundi ishte kryesuese e Komitetit Civil të Inteligjencës së NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është takuar këtë të mërkurë me krerët e shërbimeve të inteligjencës civile dhe anëtarët e inteligjencës ushtarake nga të 32 aleatët, në Bruksel.
Takimet plenare të Komitetit të Intelejgencës Civile, Komitetit të Intelegjencës Ushtarake dhe të përbashkëta të CIC-MIC u mbajtën në selinë e NATO-s përgjatë kësaj jave.

“Ne nuk do të ishim në gjendje t’i kundërveprojmë kërcënimeve gjithnjë në rritje dhe më të sofistikuara me të cilat përballemi si Aleancë pa kontributin e shërbimeve të inteligjencës aleate”, tha Sekretari i Përgjithshëm, duke shtuar se “Inteligjenca ka një rol kritik për të luajtur në informimin e planeve tona të mbrojtjes, rritjen e ndërgjegjësimit për aftësitë e kundërshtarëve tanë dhe vazhdimin e ndihmës sonë për Ukrainën”, thuhej në njoftim.

Kjo seri e takimeve pati diskutime strategjike midis Aleatëve mbi çështjet kryesore të inteligjencës dhe diskutime me partnerë të vlefshëm të NATO-s. Temat e rendit të ditës përfshinin, por nuk kufizoheshin vetëm në luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhëniet e Moskës me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin dhe të ardhmen e inteligjencës së NATO-së, duke përfshirë integrimin e teknologjive në zhvillim dhe shkatërruese.

“Konflikti në Ukrainë tregon qartë se siguria jonë nuk është rajonale, por globale, dhe kjo nënvizon rëndësinë e inteligjencës”, tha Sekretari i Përgjithshëm Rutte. Aleatët e NATO-s nuk kanë ndarë kurrë inteligjencë më shpejt, më fuqishëm dhe mbi një gamë më të gjerë temash sesa tani.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone deklaroi se çdo ditë, aleatëve të NATO-s u kujtohet se përballen me kërcënime gjithnjë e më shumëdimensionale. Admirali vazhdoi duke thënë se “Jam vazhdimisht i impresionuar nga thellësia, gjerësia dhe cilësia e inteligjencës së NATO-s. E gjitha ka ndikim dhe rëndësi për Komitetin Ushtarak, udhëheqësit tanë dhe stafin tonë në mënyrë që të mund të lundrojmë në mjedisin tonë aktual të sigurisë.”

Takimet vjetore i bashkojnë aleatët për të diskutuar politikën, strategjinë dhe planifikimin e inteligjencës, me qëllim forcimin e mbështetjes për planifikimin, operacionet dhe vendimmarrjen e Aleancës. Përveç takimeve plenare vjetore në Bruksel, çdo komitet takohet rregullisht gjatë gjithë vitit.

E Vlora Hyseni që tani përfaqëson Shqipërinë në nivel të lartë të sigurisë, dikur kishte udhëhequr Agjencinë Kosovare të Inteligjencës në Kosovë.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Më 28 shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtore në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ajo ishte emëruar për një mandat pesë vjeçar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kur u emërua, u tha se ajo flet disa gjuhë të huaja.

Por, paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Por 2 vite pas marrjes së mandatit si zëvendësdrejtore në AKI, më 30 qershor 2021, ajo u shkarkua nga kjo pozitë.

Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin marrë vendim për ta shkarkuar.

Pa dhënë asnjë arsyetim për shkarkimin e saj, zyra e kryeministrit kishte treguar se Vlora Hyseni u shkarkua, duke u mbështetur në nenin 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja e kishin paralajmëruar Hysenin se mos ruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftim.
Për shkak të pozitës, Hyseni nuk ka zhvilluar profil publik dhe as nuk ishte deklaruar për shkarkimin e njëanshëm të saj./Lajmi.net/