Vllahiu preferon takim të përbashkët të liderëve

Presidentja Atifete Jahjaga sot ka anuluar pjesëmarrjen në Komisionin Trilateral, i cili do të mbahet më 1 nëntor në Beograd. Anulimi i kësaj vizite - që është e katërta vetëm brenda këtij muaji- presidentja e ka bërë për shkak të krizës politike.

Lajme

30/10/2014 18:00

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu tha për emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës se presidentja ka për prioritet krijimin e institucioneve andaj ka anuluar vizitën në Beograd.

“Ky vendim i presidentes për të anuluar këtë pjesëmarrjes ka të bëjë më çështje prioritetesh dhe prioriteti në Kosovë është krijimi i institucioneve të Kosovës. Ne nuk e kemi më luksin e humbjes së kohës për krijimin e institucioneve”.

“Presidentja Jahjaga vetëm brenda këtij muaji ka anuluar 4 vizita për shkak të krejt kësaj situate që ndodhet Kosova”.

I pyetur se nëse presidentja do të shkonte në Beograd, a do të prezantohej si presidente e Kosovës, Vllahiu tha se për Jahjagën shtetësia dhe prezantimi i barabartë i Kosovës është prioritet i saj në çdo vizitë që bën.

“Asnjëherë presidentja Jahjaga nuk e sa sjellë në pikëpytje shtetësinë e Kosovë dhe gjithmonë ka qenë prioritet i saj. Kudo që ajo udhëton është e nevojshme që të prezantohet shteti i Kosovës në mënyrë të barabartë me të gjithë”.

Vllahiu thotë se takimet një nga një të liderëve te presidentja janë ndërprerë sepse, sipas Presidencës, tashmë ka ardh koha për një takim të përbashkët të liderëve në mënyrë që të gjendet zgjidhja për tejkalimin e ngërçit politik.

“Ka qenë prioritet i presidentes Jahjaga që si një lehtësuese e takimeve me liderët të jetë këtu dhe të jetë aktive për të ndihmuar”.

“Presidentja ka qenë shumë aktive por ajo që ka pasur brenda 3-4 javësh ka qenë një proces i mirëbesimit në mes liderëve dhe presidentes”.

“Ne kemi ardh në një përfundim se vazhdimi i takimeve të tilla do të ishte një vazhdimësi e pafund, andaj kemi ardh në një përfundim, ku të gjithë liderët politikë do të pajtoheshin të takoheshin dhe të gjendet zgjidhja”, tha Vllahiu për Klan Kosova.