Vlera e kontratës 489,362.40 euro për kompaninë “CETIS” që shtypi fletëvotimet, KQZ shkeli ligjin në “procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”
Fletëvotimet me numra të ndryshëm serik, e dyshimet për dallavere edhe më të thellë në kuadër të zgjedhjeve të zhvilluar më 9 nëntor apo thënë qartë balotazhit të zhvilluar në këtë ditë në Mitrovicë të jugut- bën që Prokuroria mbrëmë të marrë vendim që aty të ndalet numërimi. Pas raportimeve të shumta nga komisionerët në…
Lajme
Fletëvotimet me numra të ndryshëm serik, e dyshimet për dallavere edhe më të thellë në kuadër të zgjedhjeve të zhvilluar më 9 nëntor apo thënë qartë balotazhit të zhvilluar në këtë ditë në Mitrovicë të jugut- bën që Prokuroria mbrëmë të marrë vendim që aty të ndalet numërimi.
Pas raportimeve të shumta nga komisionerët në QKN, u morë vendim që numërimi të ndërpritej.
Në jug të Mitrovicës madje u ngritën dyshimet edhe për “trenin bullgar” që thënë qartë është një metodë e përdorur më herët për manipulim zgjedhor.
Thënë shkurtimisht në këso raste, një person i caktuar hyn në vendvotim me fletëvotim të plotësuar paraprakisht dhe të njëjtën e fut në kufi kurse fletëvotimin e pastër e merr jashtë dhe e dorëzon tek organizatori.
Kësisoj duke krijuar një zinxhir të kontrolluar të votave nga jashtë.
Por shumëçka u zbulua edhe sot. Komisioni Qendror Zgjedhor doli me një njoftim se kompania përgjegjëse për shtypjen e këtyre fletëvotimeve mori përgjegjësinë për gabimin e bërë.
Në njoftimin e KQZ-së, thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.
“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thuhet në njoftim.
Kompania e cila i ka shtypur fletëvotimet, CETIS, thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.
“Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, përfundon njoftimi i KQZ-s.
Por çka kishte ndodhur me këtë kompani në shkurt të vitit 2025?
Komisioni Qendror Zgjedhor e kishte anuluar tenderin e shtypjes së fletëvotimeve për shkak të “ofertuesve të papërgjegjshëm”, duke vazhduar më pas me tender të negociuar për t’ia dhënë të njëjtës kompani , që fillimisht ishte “shpallur” si e papërgjegjshme.
E njëjta kompani , pra “CETIS” bëri shtypjen e këtyre fletëvotimeve të famshme nga zgjedhjet lokale.

Kompania “CETIS” që tanimë thuhet se ka lidhje të hiseve bashkë me një kompani në Shqipëri me ambasadorin e Kosovës, Martin Berishaj bëri rrëmujë me fletëvotimet pa numra serik.
Për t’u kthyer tek tenderi që kishte fituar kompania me konsorcium “CETIS d.d” dhe “Cetkos L.L.C” e dyta nga Kosova del se vlera e kontratës në fjalë ka qenë 489,362.40 euro.
Pra kompania sllovene e që është kompania e njohur në treg e që bën prodhimin e pasaportave, karta identiteti dhe fletëvotime në shumë vende të Evropës nuk raportohej më parë për ndonjë manipulim të mundshëm.
Por Komisioni Qendror Zgjedhor theksohet të ketë bërë shkelje në momentin kur ka zhvilluar tenderin në fjalë për këto fletëvotime.
KQZ-ja bëri shkelje pasi përdori “procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”, në vend që të realizonte një procedurë të hapur.
E kësisoj, mënyra e përdorimit të kësaj procedurë nga KQZ-ja është i pajustifikueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë, më saktësisht neni 35, i cili e lejon procedurën e negociuar pa njoftim vetëm në “rrethana jashtëzakonisht urgjente” ose në rast se ekzistojnë arsye teknike e ligjore që e bëjnë të pamundur konkurrencën e hapur.
“Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”,thuhet në nenin 35.
E në rastin konkret për të cilin po flasim, këto kushte nuk kanë ekzistuar, pasi presidentja Vjosa Osmani veçse pati shpallur datën e zgjedhjeve të 12 tetorit. Madje publikimi i datës së zgjedhjeve u bë në muajin qershor, e që ishte një diferencë kohe prej 4 muajsh që të zhvillohej një procedurë të rregullt , të hapur e pa shkelur ligjin.
Madje ligji në Kosovë e ndalon përdorimin e procedurë së negociuar kur “rrethanat emergjente janë pasojë e veprimeve ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, e që në këtë rast vonesa dyshohet se kishte të bënte pikërisht me neglizhencën e KQZ-së.
E për këtë rast hetime më të detajuara pritet të bëj Prokuroria, duke u marrë nga afër, duke e qartësuar situatën dhe duke vënë në pah se pati ndërhyrje nga persona të caktuar përmes bizneseve apo se si erdhi deri tek këto gabime tejet serioze në dy komuna të vendit, në jug të Mitrovicës e në Gjakovë./Lajmi.net/
