Vjosa Osmani para 20 ditësh: E pakuptimtë të kërkoj përkrahje nga opozita, kur s’e kam përkrahjen e VV-së

Ish-Presidentja, Vjosa Osmani, e kishte përjashtuar mundësinë që të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rikandidim për pozitën e Presidentes. Në një deklaratë të dhënë më 07 prill në “Pressing”, ajo kishte thënë se “është e pakuptimtë që të kërkojë përkrahje nga opozita, kur është bërë e qartë që nuk do ta ketë përkrahjen…

Lajme

27/04/2026 14:06

Ish-Presidentja, Vjosa Osmani, e kishte përjashtuar mundësinë që të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rikandidim për pozitën e Presidentes.

Në një deklaratë të dhënë më 07 prill në “Pressing”, ajo kishte thënë se “është e pakuptimtë që të kërkojë përkrahje nga opozita, kur është bërë e qartë që nuk do ta ketë përkrahjen e partisë më të madhe”.

“Sepse nuk ka asnjë kuptim që unë të kërkoj tani përkrahje nga partitë opozitare, kur është bërë tepër e qartë, shumë para dekretit, të jem e qartë, para dekretit, që unë nuk do ta kem përkrahjen e partisë më të madhe. Kjo është bërë e qartë para dekretit. Pra tash kot dalin dhe thonë dekreti është arsyeja…jo jo. Është bërë e qartë shumë para dekretit”, kishte deklaruara Osmani më 07 prill.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Osmani mund të jetë kandidate e propozuar nga partia e tij për për të paren e shtetit, nëse “Vetëvendosja i siguron 66 vota për të”.

Megjithatë, ish-Presidentja është shprehur e rezervuar të flasë për këtë temë kur është pyetur nga gazetarët, pavarësisht se qëndrimin e saj e dha në fillim të muajit.

“Jemi duke shkuar për t’i nderuar të zhdukurit me dhunë, kështu që ju lus për mirëkuptim. Ndoshta ndonjëherë tjetër”, tha Osmani kur u pyet se a do të jetë kandidatja e LDK-së për Presidente.