Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj raportohet se do t’i bashkohen marshit të 17 shkurtit në Prishtinë
Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një protestë mbarëpopullore në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjykim në Hagë. Në këtë protestë pritet të marrin pjesë dy presidentët e shteteve shqiptare, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani, transmeton lajmi.net. Kjo…
Lajme
Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një protestë mbarëpopullore në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjykim në Hagë.
Në këtë protestë pritet të marrin pjesë dy presidentët e shteteve shqiptare, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani, transmeton lajmi.net.
Kjo është thënë nga Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, i cili në një prononcim për Euronews Albania ka bërë të ditur se pritet pjesëmarrje e gjerë.
“Deri më tani, nuk është zyrtare, por në bazë të informacioneve, presim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj bashkë me presidenten Vjosa Osmanin t’i bashkëngjiten protestës në Prishtinë. Taulant Balla do të jetë pjesë e protestës, sikurse edhe shumë deputetë nga të gjitha partitë politike në Shqipëri. Po ashtu, edhe studentë nga universitetet e Shqipërisë, të cilët do të vijnë në mënyrë të organizuar”, deklaroi Gucati.
Në media është raportuar se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të jetë në Kosovë në ditën kur pritet të mbahet protesta, por që s’është konfirmuar ende zyrtarisht.
Sa persona pritet të marrin pjesë?
Përfaqësuesja e platformës qytetare që e organizon protestën “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se marshi i 17 shkurtit do të jetë më i madhi në historinë e Kosovës së lirë.
“Presim mbi 200 mijë pjesëmarrës”, tha Hoxha, duke theksuar se qëllimi nuk është të krijohen tensione, por të promovohet uniteti qytetar.
Ajo nënvizoi mobilizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve.
“Nga çdo cep i Kosovës kemi marrë mesazhe përkrahjeje, madje edhe mbështetje të gjerë institucionale. Kjo është një mbështetje që kalon çdo vijë ndarëse. Kjo është çështje drejtësie dhe dinjiteti. Kemi marrë konfirmime nga i gjithë rajoni dhe Evropa. Diaspora po udhëton për orë të tëra për të qenë bashkë në këtë moment”, tha Hoxha./lajmi.net/